Një grua i ka shpëtuar mrekullisht plumbave të atentatorit, që nisi të hapte zjarr gjatë kohës që ajo ishte në makinë.
Ngjarja ka ndodhur në Londër më 14 Maj të këtij viti, ndërsa policia britanike ka shpërndarë sot pamjet në një thirrje për të identifikuar sadopak njeriun që u përpoq të vriste 51-vjeçaren, identiteti i së cilës nuk është bërë publik.
Në pamjet e filmuara nga disa kamera sigurie, i dyshuari shikohet teksa i afrohet ngadalë makinës, të cilën e drejtonte gruaja. Ai drejton armën drejt saj, por mrekullisht plumbat prekin vetëm makinën dhe xhamat.
Zonja 51-vjeçare nuk u plagos dhe pas disa çastesh zbret nga makina e hutuar, duke mos ditur se çfarë të bëjë. Kur policia mbërriti, i dyshuari kishte ikur me një makinë të paidentifikuar akoma.
“Ky është një sulm i pazakontë që ndodhi në mes të ditës dhe që fatmirësisht nuk pati asnjë të plagosur. Të shtënat me armë nuk kanë vend në Londër dhe ne po bëjmë një hetim të plotë që atentatori të dalë para gjykatës”, tha detektivi i çështjes, Tom Williams.
Për personin që qëlloi gruan deri më tani policia thotë se është me ngjyrë, trup mesatar dhe rreth 150 centimetra i gjatë./abcnews.al