Vrasja e 46-vjeçarit në Shkodër: Arrestohet një nga autorët e dyshuar, 2 të tjerë në kërkim

schedule09:33 - 29 Nëntor, 2020

schedule 09:33 - 29 Nëntor, 2020

Zbardhen emrat e të arrestuarve në Shkodër për vrasjen e Ridvan Ramazanit.

Burimet bëjnë të ditur se është arrestuar 25-vjeçari Milkjor Gjoka. Ai së bashku me dy vëllezërit Mehmedaj janë autorë të dyshuar të ngjarjes në fshatin Mushan te Dajçit.

Policia ka shpallur në kërkim dy vëllezërit Hydajet dhe Duel Mehmedaj. Nga ana tjetër janë arrestuar edhe dy persona të tjerë për mos kallëzim krimi, njeri nga të cilët, punonjësi i pikës së karburantit.

46-vjeçari u gjet i vrarë brenda makinës së tij tip “BMW” pranë një karburanti. Dyshohet se atentatorët qëlluan me armë automatik dhe pasi kanë ekzekutuar Hysenin janë larguar me motoçikletë.

Ridvan Hyseni (Ramazani) dhe të afërm të tij njihen si biznesmenë në fushën e turizmit. Ata kanë në pronësi të tyre lokale e hotele në plazhin e Velipojës dhe në Shirokë.

Në vitin 2008 është ekzekutuar edhe xhaxhai i 46-vjeçarit, Enver Hyseni (Ramazani).  Ky i fundit asokohe 50 vjeç, baba i tre fëmijëve u vra teksa po drejtonte mjetin”Benz” ML në aksin rrugor Dajç-Darragjat.

Njoftimi i policisë

Shkodër

Vijojnë pandërprerë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur në fshatin Mushan, Shkodër, në afërsi të një pike karburanti, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 46-vjeçari R. H.

Vihet në pranga 1 nga autorët, shpallen në kërkim 2 autorët e tjerë, si dhe vihen në pranga edhe 2 shtetas, për moskallzim krimi.

Falë veprimeve profesionale dhe hetimore të kryera nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, me mbështetjen e Departamentit të Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, indetifikimi i autorëve dhe personave të tjerë që kanë qenë prezent.

Kontrolle intensive nga strukturat e DVP Shkodër, FNSH Shkodër e Forcat Speciale Renea, për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.

Në kuadër të kontrolleve, gjatë orëve të mbrëmjes, nga shërbimet e Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit Milkjor Gjoka, 25 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Dajç, Shkodër, për veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim.

Si dhe u shpallën në kërkim dhe vijon puna për kapjen e dy vëllezërve Hydajet Mehmedaj 33, vjeç dhe Duel Mehmedaj, 31 vjeç, banues në Mushan, Shkodër.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në afërsi të një pike karburanti, në fshatin Mushan, Shkodër, kanë varë me armë zjarri në mjetin e tij, shtetasin R. H., 46 vjeç, pas një konflikti të ndodhur midis palëve disa orë para ngjarjes.

Grupi hetimor ka sekuestruar në vendin e ngjarjes, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, dy krehëra me fishekë pistolete, gëzhoja të armës automatike, automjetin e viktimës dhe prova të tjera të vlefshme që do t’i shërbejnë zbardhjes dhe dokumentimit të ngjarjes.

Po në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, i shtetasve B. M. 49 vjeç, banues në fshatin Mushan, Dajç, Shkodër dhe M. G., 49 vjeçe, banuese në fshatin Suka-Dajç, Shkodër, të cilët kanë qenë prezent kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallëzuar në organet kompetente per krimin e ndodhur.

Strukturat e DVP Shkodër, të mbështetura nga FNSH dhe RENEA, kanë vijuar përgjatë gjithë natës dhe po vijojnë kontrollet intensive në banesa e objekte të ndryshme për kapjen e dy autorëve të tjerë të kësaj ngjarjeje. s.b/abcnews.al/