Analisti Besnik Mustafaj, i ftuar në studion e ABC me gazetarin Endri Xhafo, foli për ndikimin e pandemisë në zgjedhjet e ardhshme.
Mustafaj gjithashtu u ndal edh tek procesi i Rindërtimit, menaxhimi i qeverisë, si edhe paketa e Partisë Demokratike e propozuar për daljen sipas kësaj të fundit nga kriza ekonomike.
Për analistin fushata e zgjedhjeve të 25 prillit, paralajmërohet të jetë e ashpër, pasi sipas tij kryeministri Edi Rama do të përdorë metoda jo transparente.
“Fushata paralajmërohet shumë e ashpër pasi kam parasysh zellin që ka Edi Rama për të përdorur në fushatë metoda jo transparente. Ne kemi një shoqëri ende rurale. Më shumë se 45% e popullsisë jeton në fshat dhe mundësia për tu ndjekur në mënyrë virtuale është pothuajse e pamundur. Opozita dhe mazhoranca janë vënë në kushte të pabarabarta për fushatën elektorale”, u shpreh ai.
Gjatë bisedës në studio me gazetarin Endri Xhafo, analisti Mustafaj u ndal edhe tek akuzat e ngritura ndaj liderit të opozitës Lulzim Basha për luftën e UÇK-së, të cilat i konsideroi thashetheme dhe një zhurmë pasi është sqaruar sipas tij nga Prokurori që ka hetuar krimet e luftës në Kosovë se Basha nuk ka pasur asnjë lidhje.
“Ngritja e këtij Komisoni është një hile e shëmtuar. Prokurori që ka hetuar krimet e luftës në Kosovë tha se Basha nuk ka pasur asnjë lidhje. Nuk arrij ta kuptoj objektin e këtij Komisoni, nëse krimet kanë ndodhur në territorin e Shqipërisë kanë përgjegjësi ata që e kanë drejtuar Shqipërinë në atë kohë. Pra, këta do të hetojë ky Komision, pra e konsideroj thjesht për të bërë zhurme dhe për të ushqyer një thashethemnajë”, u shpreh Mustafaj.
Sa i përket procesit të Rindërtimit Mustafaj tha se theksoi se prej një viti njerëzit ndodhen ende nëpër çadra dhe sipas tij kjo është bërë vetëm për t’i treguar qytetarëve së kë duhet të votojnë, në kohë zgjedhjesh.
“ Unë besoj se në mënyrë cinike janë lënë për tu dhënë në momentin e duhur çelësat, për t’ju thënë tani shkoni të votoni për mua. Ky po përpiqet ta shesë edhe rrugën e Kombit si vepër të Partisë Socialiste, sepse i mendon njerëzit pa kujtesë dhe të manipulueshëm. Por nëse i bën 2000 mijë apartamente besoj se meriton vëmendje.
Por për një bilanc 8-vjeçar kjo është e pamjaftueshme. Unë dua të besoj se Lulzim Basha dhe ekipi i tij janë të fokusuar te pandemia nga ndjenja e alarmit që ka kjo emergjencë. Disa nga propozimet e Bashës filluan të zbatohen nga qeveria. Pra është një situatë që ka nevojë për kundra-pushtet”, tha më tej Mustafaj.
/abcnews.al/