Ekathimerini: Qeveria greke ngrin bisedimet me Shqipërinë për detin

schedule15:57 - 7 Korrik, 2018

schedule 15:57 - 7 Korrik, 2018

Sipas të përditshmes greke Ekathimerini, bisedimet mes Athinës dhe Tiranës për çështjen e detit, janë ngrirë. Kjo deri në ratifikimin për marrëveshjen me Maqedoninë për emrin, në parlamentin grek dhe në atë maqedonas.

Situata e acaruar në vend pas marrëveshjes së arritur me Maqedoninë për çështjen e emrit ka detyruar qeverinë greke të shtyjë në kohë përpjekjet për të zgjidhur çështjet dy palëshe me Shqipërinë. E përditshmja greke Ekathimerini shkruan se zyra e kryeministrit grek Tsipras po pret për ratifikimin e marrëveshjes me Shkupin në parlamentin maqedonas dhe më pas në atë grek para se merret me çështjen e detit me Shqipërinë.

Por pavarësisht kësaj, negociatat mes Athinës dhe Tiranës do të vazhdojnë, në mënyrë të veçantë mes dy komiteteve për demarkacionin e zonave ekonomike ekskluzive të të dyja vendit, një hap që ka lënë varur dhe çështjet e tjera. Përpjekjet për demarkacionin e këtyre zonave është bllokuar disa herë në të kaluarën për shkak të mosmarrëveshjeve politike me Shqipërinë, shkruan më tej e përditshmja greke.

Presidenti i vendit, Ilir Meta, ka shfaqur hezitimin për të ratifikuar një marrëveshje të EEZ ndërsa kryeministri Edi Rama është shumë më i gatshëm. Përveç heqjes së statusit së luftës që ka mbetur në fuqi që në Luftën e Dytë Botërore, Greqia do të sigurojë të drejtat e grekëve etnikë në Shqipëri. Sipas deklaratave të mëparshme të ministrit të Jashtëm grek, janë bërë progrese për sa i përket çështjes së minoritetit grek në vendin tonë.

Qeveria greke ka mohuar kategorikisht se çështja e mprehtë e çamëve, të cilën Tirana e ka shtyrë me forcë, është ndër çështjet që duhen negociuar. Çamët pretendojnë të drejtën e pronës që kanë lënë në Greqi, kur ata u dëbuan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Greqia hedh poshtë pretendimet, duke thënë se çamët ishin bashkëpunëtorë nazistë.

Deri më tani, të dyja palët kanë bërë përparim në të ashtuquajturat çështje me prioritet të ulët si p.sh. heqja e taksave konsullore për shqiptarët në Greqi dhe njohja e patentave shqiptare. Për më tepër, Shqipëria tashmë ka filluar procesin e zhvarrosjes të eshtrave të ushtarëve grekë që ranë në jug të Shqipërisë gjatë luftës greko-italiane në vitet 1940-41./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!