Emigrantët përballë dyerve të mbyllura të BE-së

schedule16:52 - 7 Korrik, 2018

schedule 16:52 - 7 Korrik, 2018

Janë të shumtë ata që krizën e emigrantëve e kanë konsideruar si të transformuar në një krizë politike për qeveritë europiane. E tashmë që ata ndodhen përballë dyerve të mbyllura, kjo mbyllje kufijsh mund të ketë një efekt domino.

Është arritur marrëveshja mes 28 shteteve të Bashkimit Europian për sa i përket emigrantëve. Por çfarë përmban ajo?

Fillimisht do të krijohen qendra pritjeje në vende të ndryshme në Europë, por vetëm në mënyrë vullnetare, do të ketë kontroll të kufijve të jashtëm me qendra zbarkimi dhe në vendet jo anëtare të Bashkimit Europian. Por dhe një rifinancim të fondit për Afrikën, si dhe do ndërmerren veprime për një shpërndarje të koordinuar të ndërhyrjes për shpëtimet në det.

Në fund, 28 vendet e BE-së pas 13 orësh bisedimesh, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, deklaroi se Italia nuk është më vetëm dhe që tashmë Europa është më e përgjegjshme dhe solidare.

Në dokumentin përfundimtar vërehet një qasje e re për sa i përket shpëtimeve në det, ku tashmë vendimet do të merren vetëm pas koordinimit mes shteteve anëtare.

Një nga principet e pohuara është se ai që arrin në Itali, arrin dhe në Europë, dhe se të gjitha anijet që mbërrijnë në Mesdhe, duhet të respektojnë ligjin kështu që dhe shoqatat jo fitimprurëse nuk duhet t’i ndërhyjnë rojeve bregdetare të Libisë.

Me situatën aktuale të emigrantëve nivelet e pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë janë shumë të lartë, gati si në kohën e luftës së ftohtë, dhe rrymat e nëndheshme të rebelizmit populist po përforcohen duke ribërë hartën politike nga njëri vend tek tjetri. Në Gjermani e ardhmja e qeverisë së koalicionit të Angela Merkel mbetet e turbullt. Me CSU-në bavareze që kërcënon se do të braktisë politikën e emigracionit. Presidenti francez, Emmanuel Macron, vazhdon të kërkojë entuziazmin e të rinjve për ndryshim, por aftësia e tij për të influencuar mbetet shumë e kufizuar.

Në Skandinavi, në vendet baltike, Poloni e Rumani, shqetësimi i vazhdueshëm lidhet me sigurinë duke parë dhe përforcimin ushtarak rus. Paqëndrueshmëria progresive në Europë ushqehet nga flukse të vazhdueshme emigrantësh sidomos që nga 2015-a. Ndërkohë qeveritë po përpiqen të përforcojnë kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian. Kjo valë përbën motorin më të fuqishëm të ndryshimeve që po ribëjnë Europën në nivele që shkojnë nga përbërja e saj etnike dhe fetare e deri në politikë, duke sfiduar ide që janë në qendër të reciprocitetit dhe të detyrimeve sociale.

Gjermania dhe zhvillimi i saj politik do të jenë vendimtarë për të ardhmen e projektit europian. Elitat politike europiane janë gjithnjë e më të vetëdijshme për domosdoshmërinë e një debati për emigracionin.

Ndërkohë në Bashkimin Europian po ngrihet një mur pas tjetrit për të ndaluar itenerarin e brendshëm të emigrantëve dhe azilkërkeusve, si ai që niset nga Italia e mbërrin në veri të Europës. Roma, Vjena dhe Berlini kanë arritur një marrëveshje për të ndaluar hyrjet e paligjshme dhe për të blinduar kufijtë me Austrinë, duke krijuar qendra tranziti emigrantësh, të cilët janë regjistruar në vende të tjera, duke aplikuar dëbimin e tyre.

Pas kompromisit për emigrantët në Gjermani që parashikon masa shtrënguese për hyrjen në vend dhe që ka shpëtuar qeverinë e kancelares Angela Merkel, Austria u shpreh e gatshme për të marrë masa për të mbrojtur kufijtë e saj. Nëse marrëveshja do të zyrtarizohet, Vjena deklaron se do të jetë e detyruar të marrë masa për të mirën e popullit austriak. Duke e vënë theksin tek shtimi i kontrolleve në kufi me Italinë dhe Slloveninë. Në një deklaratë të qeverisë gjermane shkruhet ndër të tjera se unioni i partive gjermane të CDU-së dhe CSU-së shpreh se Gjermania do të aplikojë masa kombëtare për t’u përballur me fluksin e emigrantëve.

 “Si presidencë austriake kemi tre objektiva: I pari ka të bëjë me sigurinë dhe luftën kundër emigracionit të paligjshëm. I dyti, ruajtja e interesave të Austrisë në Europë dhe në fund aktiviteti i vendeve fqinj”.

Kështu deklaroi ndër të tjera kancelari austriak Kurz në seancën plenare të Parlamentit Europian në Strasbourg. Austria do të ketë presidencën e Bashkimit Europian deri në fund të këtij viti, duke pasur kështu mundësi  të drejtojë bisedimet në tryezën europiani sidomos për sa i përket emigrantëve dhe azilkërkuesve.

Kurz theksoi se thelbi i presidencës austriake lidhet më mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian. Dhe se diskutimi gjerman e masat kombëtare edhe ndaj Austrisë lënë të kuptohet se është kjo ajo që duhet: mbrojtja e kufijve të jashtëm. Sipas kancelarit austriak një Europë pa kufij të brendshëm do të mund të ekzistojë vetëm nëse funksionon mbrojtja e kufijve të jashtëm.

Mesazhi është i qartë: nëse Gjermania ngre një mur për të bllokuar lëvizjet dytësore të emigrantëve të mbërritur fillimisht në Itali, Austria nuk do të qëndrojë në heshtje, por do të bëjë të njëjtën gjë. Kjo deri në momentin që nuk do të bllokohen varkat me emigrantë në brigjet italiane. Ndoshta dhe duke krijuar qendra të mbyllura si ato që presidenti francez Macron ka arritur të ndërtojë në Spanjë dhe Greqi e që do të donte të ndërtoheshin dhe në Itali. Vetëm se për momentin Italia ka dhënë një përgjigje të prerë: Jo.

Minsitri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, u shpreh se nëse Austria është e gatshmë të mbyllë kufijtë, kjo është një gjë shumë e mirë për vendin, pasi janë më shumë ata që kthehen në Itali se sa ata që shkojnë në Austri.

Pra nëse Austria reagon menjëherë ndaj vendimit të pritshëm të qeverisë gjermane, ajo italiane reagon ndaj asaj austriake.

Salvini shtoi se skafistët dhe trafikantët e emigrantëve janë shumë pranë fundit pasi kanë kuptuar se qeveria italiane do të mbrojë kufijtë e vendit. Ai theksoi se skafistët janë në gjendje të ngarkojnë sa më shumë persona dhe në gomone të shfryra, duke shkaktuar viktima. Obejktivi i qeverisë italiane, sipas zëvendëskryeministrit, është që të mos ketë asnjë nisje e në këtë mënyrë nuk do ketë asnjë viktimë. Madje Salvini premtoi se do të arrinte këtë objektiv brenda shumë pak kohësh.

Po çfarë do të mund të bënte Italia nëse do të bllokoheshin të gjitha rrugët e tjera drejt pjesës tjetër të Europës? Fillimisht është hipoteza e riatdhetësimeve në Libi, por Komisioni Europian nuk mendon se është një ide që mund të praktikohet. Zëdhënësja e Komisionit të Bashkimit Europian, Natasha Berto, u shpreh se nuk do të ketë asnjëherë riatdhetësime të Bashkimit Europian drejt Libisë, apo anije europiane që ridërgojnë emigrantët në Libi.

Sipas saj, Organizata e Kombeve të Bashkuara po punon për të përmirësuar kushtet e tyre dhe ekziston një mekanizëm tranziti urgjent, për evakuimin e këtyre personave nga Libia. Por kur flitet për shpëtimet në det, i duhet dhënë fund biznesit të trafikantëve, të cilët rrezikojnë jetën e personave, duke favorizuar në këtë mënyrë emigracionin e ligjshëm.

Libia ka konfirmuar zonën e saj të shpëtimit në det dhe kjo nënkupton se kur ka një qendër koordinimi dhe shpëtimi të Libisë që koordinon një situatë, të gjitha mjetet lundruese duhet të respektojnë urdhrat që jepen nga rojet bregdetare të Libisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!