Ushtria amerikane “shkallmon” traditën historike

schedule18:24 - 6 Korrik, 2018

schedule 18:24 - 6 Korrik, 2018

Në vijim të linjës së ashpër të administratës Trump kundër emigracionit, ushtria amerikane ka ndërmarrë një lëvizje të papritur që ka shkundur nga themelet një prej traditave historike të saj. Ajo ka pezulluar rekrutët e huaj duke u mohuar atyre të drejtën për t’u pajisur me nënshtetësi në fund të shërbimit.

Pa zhurmë dhe pa dhënë detaje, ushtria amerikane ka pezulluar emigrantët e ligjshëm që ishin rekrutuar në bazë të një programi që në përfundim të shërbimit u ofronte nënshtetësinë. Në vitin 2016 mbi 5 mijë emigrantë u rekrutuan në radhët e ushtrisë, ndërsa rreth 10 mijë të tjerë janë ende në shërbim.

Në bazë të programit, rekrutët do të përfitonin statusin ligjor në Shtetet e Bashkuara, si për shembull një vizë studimi. Të rinjtë nuk kanë marrë asnjë sqarim për urdhërin e pezullimit.

Zëdhënës të Pentagonit dhe ushtrisë kanë deklaruar se duke qenë se çështja po trajtohet ligjërisht, nuk mund të japin detaje. Për të marrë nënshtetësinë, rekrutët duhet të kryejnë një shërbim të dalluar dhe kjo mund të arrihet edhe brenda vetëm pak ditëve në kampin ushtarak.

Por rekrutëve të pezulluar stërvitja bazë u është shtyrë për një afat të pacaktuar dhe rrjedhimisht nuk mund të natyralizohen në amerikanë. Margaret Stok, një avokate për mbrojtjen e emigrantëve dhe ish-nën kolonele e ushtrisë, ka kritikuar lëvizjen e administratës.

“Emigrantët shërbejnë në ushtrinë tonë që prej vitit 1775. Nuk do ta kishim fituar kurrë revolucionin pa emigrantët dhe pa ata nuk do të fitojmë as luftën globale kundër terrorizmit”, ka deklaruar Stok./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!