Brazili cilësohet favorit për fitore, por ndaj Belgjikës e pret sfida më e vështirë e Botërorit deri tani. Në Rusi pritet të luhet një çerekfinale tepër e fortë
Më e madhja deri tani. E tillë cilësohet çerekfinalja e sotme e orës 20:00, mes Brazilit dhe Belgjikës. Dy skuadrat më bindëse në Botëror deri tani përballjen në Kazan, dhe njëra eleminohet.
Lajm i madh për Brazilin është kthimi i Marselos, që është i gatshëm. Mungesa e vetme e Brazilit do të jetë ajo e Kasemiros së pezulluar, e në vend të tij pritet të jetë Fernandinjo.
Danilo ka qenë i dëmtuar që më parë dhe nuk luan dot më, në këtë Botëror. Nejmar e Kutinjo nuk duhet të marrin të verdhë, pasi pezullohen për gjysmëfinalen e mundshme.
Tite: “Karakteristikat e lojtarëve tanë janë për lojë sulmuese, për të shënuar gola. Ne përballuam vështirësitë ndaj Meksikës, dhe kur hymë në lojën tonë, kundërshtarët vështirë se e prekën më topin. Unë ndihem i qetë sepse të qetë më bën loja e skuadrës sime. Ndaj Belgjikës sërish kemi besim, edhe pse do të jetë shumë e vështirë. Kërkoj vetëm një gjë, që ndeshja të mos vendoset nga penalltitë”.
Belgjika nuk ka asnjë mungesë, dhe pritet të luajë me të njëjtin formacion si ndaj Japonisë.
Martinez: “Të dyja skuadrat janë të ngjashme për cilësitë teknike që kanë. Diferenca është që ne nuk kemi fituar asnjë kupë të botës, kjo është e gjitha. Ne nuk e kemi përvojën e duhur, por kjo nuk do të thotë se ne do të luajmë për të humbur, apo që nuk kemi shanse. Nga Brazili gjithnjë pritet maksimumi, dhe është favorit. Ne na takon që ta kalojmë këtë barrierrë psikologjike dhe ta fitojmë Botërorin”.
Fitorja e Brazilit jepet 2.1, barazimi ka kuotën 3.4, ndërsa suksesi i Belgjikës ka koeficientin 3.6. /abcnews.al