Nesër në 21:00 në “San Siro” Real Madrid dhe Inter përballen për të diskutuar tri pikët në grupin B të Champions League. Të dy skuadrat nuk qëndrojnë në pozita të mira pas tre ndeshjeve të para, teksa Real është i treti me 4 pikë, ndërsa Inter i katërti me vetëm 2 pikë.
Kjo ndeshje do të tregojë shumë në lidhje me të ardhmen e të dy skuadrave në këtë kompeticion dhe Zidane e di mirë këtë. Në konferencën për shtyp para kësaj ndeshje Zidane preku gjithë çështjet e nxehta dhe u tregua koshient për rrezikun që i kanoset nesër.
MUNGESA E RAMOS – “E dimë rëndësinë e kësaj ndeshje dhe jemi gati. Ramos e ka provuar në fushë atë që mund të na japë. Ne e dimë se sa i rëndësishëm është Sergio për ne, por nuk mund të ndalemi thjesht sepse ai është i dëmtuar”.
NDESHJA – “Do të jetë si një finale nesër, e dimë se do vuajmë, por shkojmë me mentalitetin e duhur. Ky është futboll, ka momente kur ndihesh i fortë dhe del gjithçka që provon, pastaj ka raste të tjera më të komplikuara kur duhet të përveshësh mëngët. Nuk i ndodh vetëm Real Madridit, por çdo skuadër përjeton situata të tilla”.
VILLAREAL – “Ishim në avantazh ndaj Villareal deri në minutën e 74-t, kështu që nuk mendoj se ishim keq. Jemi të përqendruar dhe unë nuk jam një njeri që i bëj gjërat tragjike. E ardhmja jonë është në duart tona dhe ne po punojmë për t’u përmirësuar”.
PËR FITORE – “Janë shumë ndeshje për tu luajtur. Nuk është e lehtë, por të mos gjejmë justifikime dhe jemi të gjithë në të njëjtën ‘varkë’. Gjithmonë synojmë fitoren, pa marrë parasysh rrethanat, kështu që sigurisht që nuk do të shkojmë atje për një barazim. Rreziku ekziston në çdo ndeshje të Champions League, por ne gjithmonë duhet të përpiqemi të fitojmë”.
SHKËMBIM ISCO-ERIKSEN? – “Isco është me ne, ai është lojtari ynë dhe ne jemi të lumtur që e kemi në skuadër”.
CONTE – “Ai ishte kapiteni im kur luaja te Juventus, një udhëheqës i vërtetë në fushë. Gjithmonë kam pasur raport të mirë me Antonion dhe ende e kam”, përfundoi Zidane. /abcnews.al