Mediat amerikane kanë zbardhur axhendën me të cilën presidenti Donald Trump do të paraqitet në takimin me homologun Putin. Në fokus të bisedimeve do të jenë ndërhyrja ruse në zgjedhje, lufta hibride dhe Ballkani.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka në plan të ngrejë çështjen e ndërhyrjes së përfolur ruse në zgjedhjet e 2016-s në takimin që do të zhvillojë më vonë gjatë muajit me homologun Vladimir Putin. Lajmin e ka bërë të ditur një zyrtar për “Ëall Street Journal”, i cili ka saktësuar se shefi i Shtëpisë së Bardhë do të diskutojë edhe për ato që njihen si “aktivitetet dashakeqe” të Rusisë në Europë, si dhe për zërat se Rusia zotëron teknologji të ndaluar ushtarake.
Trump dhe Putin do të takohen më 16 korrik në Helsinki, për atë që do të jetë takimi i parë dypalësh mes tyre. Fillimisht dy krerët e shteteve do të takohen vetëm për vetëm dhe më vonë gjatë ditës me këshilltarët e tyre për një format më të gjerë. Në fokus do të jetë edhe “lufta hibride”, siç njihet ndryshe përdorimi i informacionit për qëllime politike ose ushtarake, si dhe politikat e Kremlinit në Ballkan dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo e fundit më herët gjatë vitit akuzoi Moskën se kishte urdhëruar sulmin me gaz nervin ndaj ish-agjentit rus në Angli, Sergei Skripal. Lidhur me këtë çështje, vendet e Bashkimit Europian mbështetën Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara përforcuan sanksionet ndaj Rusisë./abcnews.al