Presidenti Ilir Meta i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Log” në “ABC” përballë gazetarit Endri Xhafo komentoi deklaratën e Lulzim Bashës, që akuzoi qeverinë se ka fshehur numrin e viktimave nga koronavirusi. Kreu i shtetit i kërkoi prokurorisë që të hetojë denoncimin e bërë nga opozita.
“Mendoj se prokuroria, i detyrohet popullit për të hetuar dhe për të verifikuar disa akuza konkrete të ngritura jo vetëm nga kryetari i opozitës, Basha që ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar, por edhe kryeministrit i takonte t’i bënte thirrje prokurorisë për të hetuar në mënyrë që të mos ndante asnjë përgjegjësi me cilindo i cili mund të ketë manipuluar për cdo lloj arsye, te presionit politik apo sedrës profesionale për të qenë sa më dinjitoz me statistikat.
Për ne është e rëndësishme, derisa të mbërrijë vaksina e vërtetë, më e mira për të përballuar këtë pandemi, është profesionalizimi, transparenca dhe besimi i publikut dhe kjo duhet të kërkohet nga qeveria dhe vetë kryeministri për një mbështetje sa më efektive nga të gjithë këtë periudhë të vështirë dhe dramatike” tha ai.
Presidenti tha më tej, se hetimi do të ndihmonte për të shkundur institucionet. “Prokuroria e ka për detyrim ndaj popullit, duhet të hetojë edhe një falsifikim të thjeshtë, dhe jo në rastin kur ka një akuzë publike për një cështje të madhe që ka të bëjë me jetën e qytetarëve shqiptarë. Hetimi nuk ka të bëjë vetëm me atë që ka ndodhur por edhe parandalimin në të ardhmen dhe kjo do të ndihmonte për një shkundje të gjitha institucioneve, një bashkëpunim më efektiv, më të përgjegjshëm për të përballuar pandeminë”.
Por, Ilir Meta, çfarë e cilëson, manipulim apo është cështje metodologjie e llogaritjes? “Për cështjen e metodologjisë mund të kishit pyetur drejtorin tim të ri të kabinetit, Panaritin, por unë mund të them se qeveria dhe kryeministri nuk janë në nivelin e duhur të përgjegjësisë qeveritare dhe personale në përballimin e pandemisë, madje nuk kanë qenë as në fillim të këtij procesi, ku unë kam bërë të gjitha përpjekjet duke mbledhur edhe këshillin e sigurisë për një klimë konsensusi dhe bashkëpunimi.
U bënë shumë përpjekje për ta mbajtur situatën sa më të qetë, por për fat të keq nuk u ndoqën rekomandimet e OBSH-së, opozitës dhe presidenti prej kohësh, që kishin të bënin me rritjen e testimeve, gjurmimit dhe mbajtjes në kontroll dhe përgatitjen për valën e dytë, se u krijua ideja që me ngrohjen e temperaturave do të vendosej në kontroll dhe nuk u shfrytëzua si duhet kjo periudhë, duhet të ishim mbi 2 mijë shtretër, jo vetëm në Tiranë por edhe në spitalet rajonale, duhet të ishin pajisjet përkatëse, të oksigjenit, duhet të ishin porositur nga shteti” tha Meta.
“Unë nuk mund të them në mënyrë absolute që ka, apo që nuk ka, por derisa kryetari i opozitës ka dhënë disa evidenca dhe ka qenë i hapur, nuk më mbetet mua të jem hetuesi apo gjykatësi i vërtetës. Kam shumë respekt për mjekët, edhe sikur të kishte probleme” tha më tej Ilir Meta. Një ditë pas denoncimit, mjekët reaguan kundër Lulzim Bashës, të thuash që janë të blerë nga Edi Rama? “Jo nuk e mendoj” tha Meta.
Më pas kreu i shtetit u ndal te denoncimet e vetë mjekëve. “Por të mos më bëjnë përshtypje deklarimet e një mjeku të njohur si Arjan Mezini, nuk mendoj kurrë për aq sa e njoh, se ai mund të bëjë deklarata spekulative apo kam vënë re shqetësimin e një mjeku, i cili është në stresin e pamundësisë për të ofruar të gjithë personave që kanë këto probleme shqetësimin e duhur, ose dje apo pardje pashë postimin e një mjeku urgjence, mendova se mos është ndonjë “fakename”, që nuk ekziston, por verifikova se është një njeri serioz dhe i përgjegjshëm, kemi raste dhe të afërm që ndërhyjmë, që ndeshin vështirësi të mëdha në këtë proces. Sado mirë qeveria të ishte organizuar, kjo është një fatkeqësi dhe nuk mund ta akuzojmë për këtë gjë, por që të çmojë, bëjë përpjekje për konsensus, me ekspertët e opozitës, ti thuash një mjeku që është në detyrë që flet si komentuar sportiv, kjo nuk është e mençur” tha ai./ db/Abcnews.al