Champions League rikthehet sot dhe në program janë tetë përballjet e radhës. Nuk mund të mungojnë edhe shqiptarët, me Myrto Uzunin që këtë herë pritet të jetë titullar në sfidën që Ferencváros luan kundër Juventusit në Torino.
Hungarezët do të ishin të kënaqur edhe me një pikë, por nuk do të jetë një mision i lehtë. Barcelona, pa Messin e De Jong, do kërkojë tre pikët e radhës kundër Dynamo Kyiv.
Sonte luan edhe PSG, skuadër e dënuar të triumfojë kundër RB Leipzig. Çështja e kualifikimit në grup është e komplikuar, pasi në garë është edhe Manchester United. “Djajtë e kuq” duhet të mposhtin turqit e Basaksehir.
Lazio e Thomas Strakoshës dhe Borussia Dortmund i kanë finale përballjet e mbrëmjes së sotme. Skuadra italiane ndeshet me rusët e Zenit, kurse gjermanët duhet të kalojnë me sukses Club Brugge.
Të gjitha përballjet e mësipërme nisin në orën 22:00, ndërkohë që dy prej ndeshjeve nisin më parë, në orën 18:55. Chelsea dhe Sevilla janë në rrugë të mbarë dhe nëse triumfojnë kundër Rennes e Krasnodar, sigurojnë kualifikimet në fazën tjetër. / abcnews.al