Pas refuzimit nga ana e Presidentit Ivanov për të nënshkruar marrëveshjen e arritur me Greqinë për cështjen e emrit, parlamenti maqedonas ka miratuar për herë të dytë marrëveshjen. Por mediat raportojnë se kreu i shtetit do refuzojë sërish nënshkrimin e saj.
Me 69 vota pro, një abstenim, asnjë kundër dhe pa praninë e opozitës, Kuvendi i Maqedonisë ka ratifikuar për herë të dutë marrëveshjen për cështjen e emrit me Greqinë.
Ligji për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë, u kthye sërish në parlament pasi presidenti i vendit Ivanov refuzoi ta nënshkruajë.
Më 20 qershor deputetët e Kuvendit të Maqedonisë me 69 vota pro, miratuan për herë të parë ligjin dhe po atë ditë ligji u dërgua tek kreu i shtetit Ivanov, i cili brenda afatit të parashikuar me ligj deklaroi se nuk do ta nënshkruante dekretimin e ligjit.
Që të kalonte ligji duhej të merrte të paktën 61 vota, tashmë ai do i dërgohet sërish presidentit të Maqedonisë i cili në bazë të kushtetutës së vendit është i detyruar ta nënshkruajë.
Por ky i fundit ka deklaruar se nuk do ta bëjë një gjë të tillë duke krijuar një situatë të njëjtë me atë të miratimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve. /abcnews.al