Erotizmit Bibla i këndon, letërsia shqipe e trodhi

schedule16:35 - 23 Nëntor, 2020

schedule 16:35 - 23 Nëntor, 2020

Nga Leontina Nika

Botimi i këngëve popullore erotike të mbledhur nga Vlora Nikçi, kanë nxitur studiuesin Shaban Sinani, për të analizuar se sa vakum kemi ende me këtë cikël në letërsinë shqipe .

“I erdhi ky plotësim botimeve të trashëgimisë nga një vajzë që nuk është e urdhrit të folkloristikës, antropologjisë. Vjen nga bota e teatrit. Ka guximin të bëjë atë që nuk e kanë bërë të gjithë studiuesit e tjerë më parë”, u shpreh ai.

Absurdi sipas studiuesit është edhe më i madh, pasi Bibla i këndon me pasion, e letërsia e pastron erosin, ku në këngët popullore është me bollëk thekson Sinani.

“Letërsia të jetë më e mbërthyer se sa Bibla, kjo është një prej çudirave të paimagjinueshme. Folklorit shqiptar si çdo traditë nuk i mungon asgjë, i ka të gjitha. Botimeve dhe arkivave i mungon, ajo që është pjesë e trashëgimisë”, tha më tej ai.

Kënga e këngëve e Salomonit, kur vjen në shqip herët është e pastruar, ose e moderuar.

“Nuk ka një himn kushtuar erosit më të fuqishëm dhe më të papërmbajtur sesa “Kënga e Këngëve” dhe në për fat e kemi të përkthyer pjesërisht që tek Buzuku, është përkthyer gati e integruar”, sqaron ai.

Ndërsa sterilizimi i erosit në letërsi ndodh në periudhën e realizmit socialist, ku dozat erotike janë me pikatore disa autorë.

“Erosi tek Migjeni është përtej çdo fanatizmi dhe përtej çdo kufizimi. Shenjtëron erosin që përgjithësisht konsiderohet ves”, shprehet ai.

Erotizmi në letërsi vazhdon të jetë i pakët, pasi ka ende keqkuptim konceptual.

“Pornografia ka funksion tregtues, erosi është një çështje brenda përbrenda njeriut”, shprehet ai më tej./abcnews.al/