Juventusit i mjaftojnë dy golat e Cristiano Ronaldos në fundin e pjesës së parë për të thyer 2-0 Cagliarin në shtëpi dhe për të siguruar tre pikët në Serie A.
Andrea Pirlo deklaroi para ndeshjes së koha e eksperimenteve kishte mbaruar dhe ndaj ekipit sard niste kampionati për “Zonjën”. Ashtu ndodhi, djemtë e tij reaguan dhe mposhtën skuadrën ishullore.
38-të dhe 43-të ishin minutat e golave të fitores për kampionët në fuqi. CR7 e shënoi të parin pas një goditje fantastike, teksa më vonë dërgoi sërish topin në rrjetë.
Pjesa e dytë nuk dhuroi emocione, përveç golit të anuluar të Cagliarit. Estonezi Klavan shënoi në minutën e 69-të, por teknologjia VAR e anuloi golin.
Me dy golat e sotëm, Ronaldo është ngjitur në shifrën e 8 realizimeve në kampionat, duke iu bashkuar Ibrahimovic në krye të renditjes së golashënuesve, teksa Juventusi ngjitet në vend të dytë me 16 pikë për momentin. /abcnews.al
Serie A, java e tetë
Juventus-Cagliari 2-0
(Ronaldo 38′, 43′)

