Johnson & Johnson: Në fillim të 2021 kemi rezultate rreth vaksinës për Covid-19

schedule22:25 - 20 Nëntor, 2020

schedule 22:25 - 20 Nëntor, 2020

Johnson & Johnson pret që të ketë rezultate lidhur me efektivitetin e vaksinës së tyre kandidate për koronavirusin nga fillimi i vitit  2021. Lajmin e bëri të ditur Dr. Paul Stoffels, zyrtari kryesor shkencor i kompanisë.

“Të dhënat përfundimtare për efektivitetin duhet të jenë gati në javët ose muajt e parë, janar ose shkurt, në vitin e ri,” tha Stoffels në një konferencë të sponsorizuar nga Reuters, e quajtur Konferenca e Shëndetit Total të Reuters.

Stoffels shtoi se kompania po rekruton mbi 1000 njerëz në ditë për testet klinike të vaksinës dhe pret që ta arrijë objektivin e saj për 60,000 pjesëmarrës deri në fund të vitit.

“Nuk është vetëm efektiviteti, është gjithashtu edhe siguria,” tha Stoffels.

“Ne kemi nevojë për gjysmën e njerëzve që kanë dy muaj ekspozim ndaj vaksinës, siç ndoshta e dini nga udhëzimet e FDA, kështu që do të na duhet kohë deri rreth fundit të vitit, në fillim të vitit të ardhshëm për të pasur të gjitha të dhënat”.

Paul Stoffels tha se Johnson & Johnson po punon gjithashtu shumë për të përmbushur qëllimet e diversitetit për testet klinike.

Korporata shumëkombëshe i ndërpreu testet klinike në tetor për shkak të një sëmundjeje të pashpjegueshme te një pjesëmarrës. Më tej, u njoftua se sëmundja nuk kishte të bënte me vaksinën dhe që nga ajo kohë kompania nuk ka pasur ndonjë ngjarje të papritur. s.b/abcnews.al/