Rezultatet e zgjedhjeve në Georgia janë certifikuar, duke e nxjerrë fitues presidentin e zgjedhur Joe Biden me më pak se 13,000 vota ndaj Donald Trump.
Herët në mëngjes të premten, përpara se të nënshkruante dokumentet e 159 qarqeve, Sekretari i Shtetit Brad Raffensperger mbajti një fjalim të shkurtër por prekës duke i kujtuar Georgias se “shifrat nuk gënjejnë” kur bëhet fjalë për atë që fitoi.
Republikani është përballur me thirrje për të dhënë dorëheqjen, kërcënime me vdekje dhe vëmendjen e kombit gjatë dy javëve të fundit të numërimit paszgjedhor.
Ndërsa vetë është mbështetës i Donald Trump dhe do dëshironte që presidenti t’i kishte fituar 16 votat elektorale të Georgias, “nuk është puna ime të ndryshoj rezultatin,” tha ai.
“Kam punuar si inxhinier gjatë gjithë jetës sime dhe jetoj me moton që numrat nuk gënjejnë”, tha ai. “Si sekretar i shtetit, unë besoj se numrat që kemi paraqitur sot janë të saktë. Numrat pasqyrojnë verdiktin e njerëzve, jo një vendim nga zyra e sekretarit të shtetit ose gjykatave ose e njërës prej fushatave.” s.b/abcnews.al/