Politikat tregtare të Trump trembin Kinën

schedule22:15 - 3 Korrik, 2018

schedule 22:15 - 3 Korrik, 2018

E frikësuar nga politikat tregtare të Donald Trump, Kina po përpiqet të joshë Bashkimin Europian që të veprojnë bashkarisht kundër Shteteve të Bashkuara. Një kërkesë kjo, që sipas agjencisë së lajmeve “Reuters” ka gjetur rezistencën e kontinentit të vjetër.

Kina po ushtron presion ndaj Bashkimit Evropian për të zgjedhur një linjë të përbashkët kundër praktikave tregtare të presidentit amerikan Donald Trump. Lajmin e bën të ditur agjencia “Reuters”, që citon burime diplomatike në Bruksel.

Nga ana e tyre, këta të fundit thonë se përpjekja e Pekinit po has rezistencë. Sipas “Reuters”, në disa takime të zhvilluara së fundmi në kryeqendrën europiane, përfaqësues të lartë të qeverisë kineze u kanë propozuar homologëve gjermanë formimin e një aleance kundër Shteteve të Bashkuara.

Dhe për të joshur sa më shumë kontinentin e vjetër, Pekini ka ofruar hapjen e mëtejshme të tregut kinez. Por Unioni, që përbën dhe tregun konsumator më të madh në botë, e ka refuzuar një aleancë të mundshme me Kinën për t’iu kundërvënë Uashingtonit.

“Pekini dëshiron që BE të rreshtohet përkrah Kinës kundër Amerikës. Por ne nuk do ta bëjmë këtë dhe ua kemi thënë”, citon “Reuters” një zyrtar europian.

Mediat kineze nga ana tjetër kanë promovuar mesazhin se Bashkimi Europian mban krahun e Kinës në këtë kontest. Zyrtarët e vendit aziatik kanë kërkuar mes të tjerash shpalljen e aleancës në një samit që do të zhvillohet në kryeqytetin kinez më 16 dhe 17 Korrik.

Por nisur nga refuzimi i Brukselit, samiti ka gjasa të rezultojë një formalitet i thjeshtë, me palët që do të angazhohen për një sistem tregtie të shumanshëm, si dhe për ngritjen e një grupi pune për modernizimin e Organizatës Botërore të Tregtisë./abcnews.al