Brdaric: Duhet një Vllazni e përulur, Tirana nuk është prova e vërtetë!

schedule14:26 - 20 Nëntor, 2020

schedule 14:26 - 20 Nëntor, 2020

Thomas Brdaric i ka të qarta gjërat. Trajneri i Vllaznisë mendon për të tashmen dhe kalimin me sukses të sfidës së radhës kundër Tiranës. Gjermani, në konferencën e zakonshme për shtypin u shpreh se gjendja e ekipit të tij është e mirë, ndërkohë që kërkon përulësi nga ekipi i tij.

“E di që vëmendja është te ndeshja e nesërme. Luajmë nesër me ekipin kampionin dhe e dimë që duhet të jemi të përulur, të thjeshtë dhe shumë të motivuar për të luajtur kundër tyre”, tha mes të tjerash gjermani, i cili nuk ia jep klasikes rëndësinë e një finaleje.

“Jo, nuk është kjo prova e vërtetë. Çdo ndeshje për ne është e veçantë. E di çfarë rëndësie ka për qytetin, por është vetëm një ndeshje. Duhet të dimë si ta menaxhojmë. Kemi shumë respekt për kundërshtarin.

Për mua është vendimtare mënyra si duhet të përgatitemi. E di që kemi një mundësi për të marrë 3 pikë dhe do ta shijojmë këtë ndeshje”, tha Brdaric, i cili më pas pyetet nëse do e kënaqtë një barazim kundër Tiranës.

“Po luftojmë për pikë. Do ta shikojmë pas takimit nëse kemi marrë atë që duam. Do të luftojmë shumë, do të jetë një betejë e vërtetë. E dimë si do të luajmë kundër tyre. Nuk duhet të flasim shumë, por të bëjmë një paraqitje të mirë”, mbyll trajneri i Vllaznisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!