Ministri italian Luigi Di Maio, në konferencën e zhvilluar me kryeministrin Edi Rama, njoftoi ngritjen e një komisioni ekonomik të përbashkët për t’i krijuar dy vendeve mundësitë e investimeve të përbashkëta.
Pjesë nga fjala e ministrit të Jashtëm italian:
“Sot kam pasur një takim shumë të përzemërt dhe konstruktiv me mikun dhe kryeministrin Edi Rama me të cilin kemi një marrëdhënie të qëndrueshme.
Vitin e kaluam kam qenë në Tiranë menjëherë pas tërmetit për të ofruar mbështetjen e Italisë. Në atë moment nuk do të kishim imagjinuar dot se në muajt në vijim një tragjedi do godiste dy vendet tona dhe botën mbarë.
Lexo edhe: Rama në konferencë me Di Maio: Italia është pranë nesh siç është BE pranë Ballkanit Perëndimor
Lufta kundër COVID-19 që kërkon një sforcim të përbashkët konfirmoi edhe njëherë se e sa e fortë është miqësia mes Italisë dhe Shqipërisë.
Në momentet më të errëta të pandemisë në Itali kemi pritur me shumë falënderim ndihmën nga Shqipëria dhe kur ishte e nevojshme kemi dhënë edhe ne një ndihmë duke dërguar një skuadër operatorësh shëndetësorë italianë.Qëndrueshmëria e raporteve tona është e tillë që ne mundet dhe duhet të bëjmë edhe më mirë.
Sot kemi nënshkruar një deklaratë të përbashkët për të ngritur një komision ekonomik të përbashkët, i cili do të ngrejë një forum dialogu për mundësi tregtare dhe investimi për të dy vendet tona, si dhe për të përballuar dhe zgjidhur pikat kritike dhe problematike të marrëdhënieve dypalëshe në kuadrin ekonomik.
Është një kuadër veçanërisht premtues dhe padyshim ai i infrastrukturave falë edhe planit të modernizimit të sektorit të transporteve të miratuar nga qeveria shqiptare që vihet në një vizion bashkëpunimi me planin e zhvillimit ekonomik dhe të investimit për vendet e Ballkanit Perëndimor të paraqitur nga Komisioni Evropian në tetor.
Një aspekt i lidhur me përforcimin e marrëdhënieve tona ekonomike, tregtare është edhe ajo e përhapjes së gjuhës italiane, prandaj shpresojmë për një prani më të madhe të arsimit italian në Shqipëri, ndoshta edhe duke e shtrirë mësimdhënien e gjuhës italiane në institutet teknike dhe profesionale”, u shpreh ai.
/abcnews.al/