Banorët e një seksioni pallatesh të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të shkuar, në zonën e Shkëmbit të Kavajës, kundërshtojnë fillimin e punimeve nga kompanitë e ndërtimit.
Edhe pse ata kanë tërhequr paratë për dëmet e shkaktuara pasi objektet janë klasifikuar në shkallën DS 2, përsëri ata nuk janë dakort me këtë mënyrë të vepruari nga ana e firmave të ndërtimit.
Sipas ligjit, punimet e brendshme banorët duhet ti kryejnë vetë ndërsa dëmtimet në fasadë, shkallë apo ashensorë duhet ti realizojë Bashkia.
Banorët kërkojnë që Bashkia të paraqesë studimin mbi shkallën e dëmtimit dhe bashkëngjitur projektet e riparimeve.
Banorët nuk kanë pranuar që punimet ti kryejë firma që ka ndërtuar këto pallate pa u bindur mbi realitetin e shkallës së dëmtimeve që sipas tyre nuk është e shkallës DS 2.
Mes banorëve është edhe Luljeta Muhedini, këshilltare e PS në Bashkinë e Durrësit e cila pretendon dëmtime të rënda të pallateve të cilat sipas saj nuk janë DS 2 por më të thella.
“Kërkojmë të inspektohet pallati. Të vijnë të shohin strukturën e pallatit, kolonat, këtu po punohet pa asnjë akt ekspertizë. Rikonstruksioni po kryhet pa kriter. Ky pallat duhet të marri një certifikim, këto janë mashtrime që të hyjnë banorët brenda dhe pas 10 apo 20 vjetësh banorët quhen të pastrehë. Ne nuk do lejojmë asnjë nga punëtorët që të kryejnë punimet, aty janë 15 kolona të thyera dhe përgjegjësi nuk mban njeri. Nesër ai pallat 9-katësh bie dhe askush nuk mban përgjegjësi”, thonë banoret.
Banorët thonë se nuk do të lejojnë kompaninë e ndërtimit të vazhdoj punimet deri në momentin që do të njihen me një akt-ekspertizë të thelluar, e cila do të përshkruaj qartë shkallën e dëmtimit të objekteve./abcnews.al