Kotzias opozitës: Rishikimi i kufijve është çështje serioze

schedule18:03 - 3 Korrik, 2018

schedule 18:03 - 3 Korrik, 2018

Ministri i jashtëm i Greqisë, Kotzias njoftoi se Turqia dëshironte të ndërtonte bazë detare në Durrës. Duke iu përgjigjur opozitës helene, ai thotë se rishikimi i kufijve është temë serioze dhe jo lojë politike.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, gjatë një interviste në një radio vendase i është përgjigjur pretendimeve të opozitës, që pretendon se shefi i diplomacisë ka bërë lëshime të shumta në negociatat me Shkupin dhe Tiranën. Duke u shprehur me shumë mllef, ai ripërsërit se çështja e Çamërisë nuk ka qenë kurrë në tavolinën e bisedimeve me Shqipërinë. Madje akuzon qeverinë e Demokracisë së Re të 1990-s që ka negociuar për këtë temë.

Duke iu referuar jugut të Shqipërisë si “Epiri i Veriut”, Kotzias nënvizoi se është qesharake të pretendohet se ai i përket Greqisë. Ministri i Jashtëm tha më tej se kërkesat e opozitës i kujtojnë ato të qeverisë turke, që kërkon rishikimin e kufijve.

“Këto nuk janë lojëra. Disa e bëjnë lojëra të vogla dhe në Perëndim. Përsa i përket Vorio Epirit, nuk i përket Greqisë dhe nuk ka çështje të tillë. Pranojmë kufijtë e aktit të Helsinkit, të traktatit së Parisit 1926, të drejtën ndërkombëtare, pasojat e dy luftërave botërore. Nuk bëjmë pazare të Çamërisë me Vorio Epirin. Akuzat mediatike dhe mikropolitike janë serioze. Doni luftë? Nuk luhet me këto tema”, u shpreh Kotzias duke nënvizuar edhe njëherë që “Vorio Epiri” tashmë i përket një shtetit sovran dhe të pavarur.

Ndërkohë, sa i përket heqjes së ligjit të luftës, ministri i Jashtëm thotë se kjo do lejojë rikthimin e pronave tek shtetasit shqiptarë, pronarë para lufte por jo tek çamët. Ndërkohë, zyrtari i qeverisë greke ka folur edhe për ndikimin e Turqisë në Ballkan. Sipas Kotzias, qeveria e Ankarasë dëshironte të ndërtonte baza detare në Durrës të Shqipërisë dhe bazë në Maqedoninë Veriore. Lidhur me marrëveshjen për emrin me Shkupin, Kotzias njofton se qeveria e Athinës i ka votat për ratifikimin e saj. Ai shton se anëtarësimi i Maqedonisë në BE dhe NATO është i dobishëm edhe për Greqinë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!