Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i është përgjigjur akuzave të ish-deputetit demokrat Oerd Bylykbashi për ndryshimin e ligjit për gjendjen civile para 25 prillit me qëllim manipulimin e zgjedhjeve. Lleshaj thotë se që nga fillimi i muajit Tetor janë publikuar dy ekstrakte zgjedhore të cilat janë afishuar në të gjitha bashkitë dhe janë të aksesueshme në portalin E-Albania.
Ministri thekson se deri tani nuk është provuar asnjë ankesë konkrete të kësaj natyre. Ai i kthehet PD, duke shtuar se atë që kjo parti ka bërë dikur nuk do të përsëritet sot nga socialistët.
“Asnjë pasiguri apo frikë parazgjedhore nuk justifikon përpjekjet për dezinformim të publikut nga aktorët politikë. Që nga fillimi i muajit tetor 2020, janë publikuar 2 ekstrakte të listave zgjedhore, të cilat janë afishuar në të gjitha bashkitë si dhe janë të aksesueshme tek portali e-Albania.
Asnjë ankesë konkrete për “lëvizje nga qendrat e votimit” nuk është provuar deri tani. Dhe kështu do të vijohet deri në fund. Asnjë mundësi nuk ekziston që dikush të luajë me listat e zgjedhësve.
Ata që e kanë bërë vetë dikur këtë gjë dhe tani druhen se mos kjo gjë do të përsëritet nga ne, duhet të jenë të qetë dhe të qartë: ASNJË qytetar nuk mund të lëvizet drejt një adrese të re zgjedhore jashtë vullnetit të tij dhe jashtë përcaktimeve ligjore. ASNJË!”, shkruan Lleshaj./mv.abcnews.al