Mbyllja e vendit nuk e cënon domosdoshmërish lirinë e individit

schedule15:53 - 19 Nëntor, 2020

schedule 15:53 - 19 Nëntor, 2020

Nga Annelien de Dijn, Conversation

Europa po përballet me valën e dytë të Covid-19. Dhe qeveritë duken të pafuqishme për të parandaluar rrjedhën e rasteve të reja masive. Udhëheqësit politikë holandezë e kanë të vështirë t’i bindin qytetarët e tyre që të mbajnë maskat.

Një shumicë e madhe e votuesve francezë, mendojnë se qeveria e Emmanuel Macron e ka menaxhuar keq pandeminë. Edhe kryeministri britanik Boris Johnson, po përballet me zemërim nga të gjitha anët mbi rrethanat që çuan në një bllokim të ri të vendit.

Sipas këtyre drejtuesve, ardhja e një vale të dytë nuk ka asnjë lidhje me dështimet e politikave të tyre apo komunikimin e dobët me publikun.

Sipas tyre në fakt, shifrat e të infektuarve po rriten sepse europianët janë njerëz liridashës dhe është e vështirë t’i detyrosh ata të ndjekin rregullat kufizuese.

“Është shumë e vështirë t’u kërkosh britanikëve që t’u binden udhëzimeve,” deklaroi Johnson, në përgjigje të kritikave ndaj politikës së qeverisë së tij mbi testimet. Ky shpjegim përdoret sa herë tentohet të shpjegohet arsyeja se pse Europa nuk po e përballon pandeminë si duhet në krahasim me vendet e Azisë Lindore, ku situata pandemike duket më në kontroll.

Sipas disa analistëve, kultura politike autoritare e vendeve si Kina dhe Singapori, e bën shumë më të lehtë zbatimin e masave të rrepta sesa në Europën liberale.

Për shembull “menaxhimi efektiv i krizës”nga Singapori, u bë i mundur nga fakti se qeveria atje ka pasur “gjithnjë një kontroll absolut mbi shtetin”.

Anasjelltas, shumë analistë mendojnë se përkushtimi ndaj “lirisë individuale” e dënoi Perëndimin me një krizë të vazhdueshme nga Covid-19.

A është në të vërtet kështu? 

Nëse është kështu, atëherë ndoshta do të bënim mirë të hiqnim dorë nga liria. Tek e fundit, ai që vdes ose sëmuret rëndë, nuk përfiton shumë nga të qenit i lirë. Por fatmirësisht, ky është një përfundim tek i cili nuk kemi pse të mbërrijmë. Siç na e tregon historia, liria është shumë në përputhje me një qeverisje efektive.

Mendimtarët politikë perëndimorë, duke filluar nga Herodoti tek Algernon Sidney nuk menduan se një shoqëri e lirë, është një shoqëri pa rregulla.

Sipas këndvështrimit të tyre, liria ishte më tepër një e mirë publike, sesa një gjendje individuale.

Për shembull, Sidney shkroi:”Një popull i lirë, ishte një popull që jetonte nën ligjet e krijuara prej tij ”. Vlen të përmendet fakti, që edhe filozofë të tillë si John Locke, ishin dakord me këtë pikëpamje.

Locke portretizohet shpesh si një mendimtar që besonte se liria përkonte me të drejtat individuale, të drejta që duhen mbrojtur me çdo kusht kundër ndërhyrjeve të shtetit. Por Locke e mohonte qartazi se liria dëmtohej nga rregulloret qeveritare, për sa kohë që ato rregulla ishin miratuar me “me miratimin e shoqërisë”.

“Liria nuk është një liri ku secili mund të bëjë atë që do, të jetojë ashtu siç dëshiron dhe të mos respektojë asnjë ligj. Por liri e njerëzve nën një qeverisje, do të thotë të kesh një rregull të qëndrueshëm sipas të cilit të jetosh, dhe që të jetë i përbashkët për secilin prej individëve të asaj shoqërie, dhe të hartuar nga pushteti legjislativ i ngritur në të”- shkroi ai në “Traktatin e Dytë”.

Vetëm në fillim të shekullit XIX-të, disa nisën ta refuzonin këtë ideal kolektiv, në favor të një konceptimi më individualist të lirisë. Pas revolucionit francez, demokracia u zgjerua dalëngadalë në gjithë Europën. Por ajo nuk u mirëprit në gjithë botën.

Shumë udhëheqës frikësoheshin se zgjerimi i të drejtës për të votuar, do t’u jepte pushtet politik të varfërve dhe të paarsimuarve, të cilët pa dyshim do ta përdornin atë për të marrë vendime të gabuara, apo për ta rishpërndarë pasurinë.

Prandaj, elitat liberale filluan një fushatë kundër demokracisë, dhe e bënë këtë në emër të lirisë. Demokracia, mendonin mendimtarët liberalë, duke filluar nga Benjamin Constant deri tek Herbert Spencer, nuk ishte shtylla kryesore e lirisë, por një kërcënim i mundshëm i lirisë i kuptuar siç duhet – kënaqësia private e jetës dhe të mirave të dikujt, transmeton abcnews.al

Gjatë gjithë shekullit XIX-të, ky konceptim liberal dhe individualist i lirisë, vazhdoi të kontestohej nga demokratët radikalë dhe socialistët.  Emmeline Pankhurst, nuk u pajtua me pikëpamjen e Spencer se mënyra më e mirë për të mbrojtur lirinë, ishte kufizimi i sferës së qeverisë.

Në të njëjtën kohë, politikanët socialistë si Jean Jaurès pohuan se ata, dhe jo liberalët, ishin partia e lirisë, pasi qëllimi i socializmit ishte “të organizonte sovranitetin e të gjithëve si në sferën ekonomike ashtu edhe atë politike”.Vetëm pas vitit 1945, koncepti liberal i lirisë dominoi mbi konceptimin e vjetër, kolektiv të lirisë.

Në kontekstin e rivalitetit të Luftës së Ftohtë, midis “Perëndimit të lirë” dhe Bashkimit Sovjetik, u rrit mosbesimi ndaj pushtetit shtetëror, madje edhe ndaj fuqisë së shtetit demokratik. Në vitin 1958, filozofi liberal Isaiah Berlin, tha se se liria “perëndimore” ishte një koncept thjesht “negativ”.

Çdo ligj, deklaroi hapur Berlin, duhej parë si një shkelje e lirisë. Natyrisht, Lufta e Ftohtë ka mbaruar prej kohësh. Tani që po hyjmë në dekadën e tretë të shekullit XXI, ne mund të dëshirojmë të elimonojmë konceptin e vjetër kolektiv të lirisë.

Nëse kriza e koronavirusit ka bërë të qartë një gjë, ai është fakti se kërcënimet kolektive, sikurse është një pandemi, kërkojnë një veprim vendimtar dhe efektiv nga qeveria. Kjo nuk do të thotë të heqim dorë nga liria jonë, në këmbim të mbrojtjes nga një shtet “dado”.

Siç na kujtojnë Sidney dhe Locke, për sa kohë që edhe bllokimi më i rreptë mund të mbështetet në lëvizjen e gjerë demokratike dhe rregullat e vendosura bashkërisht, dhe mbeten objekt shqyrtimi nga përfaqësuesit tanë politikë dhe media, ato nuk e cenojnë lirinë tonë. s.ba/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!