Bashkimi Europian po planifikon një megabuxhet vetëm për adresimin e çështjes së emigrantëve. Vendet anëtare po diskutojnë për një fond që arrin deri në 35 miliardë euro, për periudhën 2021-2027.
Bashkimi Europian vijon të shpenzojë shumë para, që në radhë të parë të mbrojë jetët humane dhe më pas të shpëtojë vendet anëtare nga flukset e emigrantëve. Sëfundmi, Brukseli vendosi në samitin e 28-29 qershorit që të paguajë 500 milionë euro për disa vende të Afrikës së Veriut, në këmbim të ngritjes së qëndrave për pritjen e refugjatëve dhe kthimin e tyre në vendet e origjinës, por edhe për përmirësimin e cilësisë së jetës. Megjithatë, analistët mendojnë se kjo zgjidhje e përkohëshme nuk do të sjellë fundin e problemit, por vetëm e nxjerr atë jashtë kufijve të Unionit.
Komisioni Europian ka zbuluar planin për të trefishuar shpenzimet për kontrollin e kufijve si kundërpërgjigje ndaj krizës së refugjatëve. Shpenzimet në buxhetin e periudhës 2021-2027, që po negociohen mes shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së, do të rriten deri në 35 miliardë euro, nga 13 miliardë që është aktualisht. Brukseli thotë se këto para do të përdoren për të krijuar një ekip me 10 mijë roje kufitare për kufirin Europian dhe Agjencisën e Rojeve Bregdetare. Ndërsa 3.2 miliardë euro do të mbahen si rezervë për të ndihmuar vendet anëtare për zhvillime të paparshikuara.
Përtej këtyre investimeve për të ardhmen, BE ka shpenzuar shumë deri më tani për këtë çështje. Dy vite më parë, arriti marrëveshje me Turqinë me një vlerë rreth 3 miliardë euro, ndërsa Ankaraja duhej të pengonte refugjatët nga Lindja e Mesme që të kalonin në Greqi, apo në ndonjë territor tjetër të Unionit. Ndërkohë, Brukseli ka ndihmuar me shumë të mëdha edhe Italinë dhe Greqinë, si dy vende ku emigrantët zbarokojnë për herë të parë. Megjithë këto shpenzime, Bashkimi Europian nuk ia ka dalë që të shmangë humbjen e jetëve njerzore, por tashmë fluksi është reduktuar ndjeshëm. /abcnews.al