Koronavirusi po vret perëndimorët, emigrantët po i shpëtojnë ata

schedule11:23 - 19 Nëntor, 2020

schedule 11:23 - 19 Nëntor, 2020

Nga Philippe Legrain “Foreign Policy

Të dhënat paraprake sugjerojnë se vaksina anti-Covid e zhvilluar nga kompanitë “BioNTech” dhe “Pfizer”, është më shumë se 90 për qind efektive. Nëse provohet e sigurt dhe merr së shpejti miratimin e autoriteteve, ajo mund të shpëtojë shumë jetë njerëzore, mund t’i japë mundësi njerëzve të rifillojnë jetën normale, dhe një shans ekonomive për t’u rimëkëmbur.

Është e vështirë të gjesh ndonjë shpikje tjetër, që mund të sigurojë një nxitje kaq të madhe e të menjëhershme. Dhe bota duhet të falënderojë për këtë 2 emigrantë turq në Gjermani.

Ugur Sahin, bashkëthemeluesi dhe shefi ekzekutiv i “BioNTech, një kompani gjermane e bioteknologjisë, mbërriti në Gjermani kur ishte fëmijë. Ai është djali i një mekaniku makinash që erdhi në Gjermani si pjesë e programit të punësimit të emigrantëve të huaj pas Luftë së Dytë Botërore. Drejtuesja mjekësore e “BioNTech”, Ozlem Tureci, që është bashkëshortja e Sahin, është vajza e një mjeku turk që gjithashtu u zhvendos me banim në Gjermani.

Që të dy u bënë shkencëtarë. Kompania e tyre, që më parë ishte fokusuar në zhvillimin e trajtimeve inovative në luftën kundër kancerit, do të jetë tani e para që do të përdorë teknologjinë e re të ARN mesazheve për të zhvilluar një vaksinë.

Ndërkohë, kompania bioteknike amerikane “Moderna”, vaksina e së cilës duket gjithashtu premtuese, u bashkë-themelua nga një grup ku bëjnë pjesë 2 emigrantë – biologu kanadez Derrick Rossi dhe shkencëtari dhe investitori i lindur në Liban Noubar Afeyan – dhe drejtuesi i saj ekzekutiv është një francez.

Arritjet e Sahin dhe Tureci – të cilat u përshëndetën edhe nga presidenti amerikan në ikje Donald Trump, që rrallëherë ka ndonjë gjë për të thënë për emigrantët në përgjithësi, e lëre më pastaj për myslimanë – kanë nxjerrë në pah marrëzinë e diskursit kundër emigrantëve,që po shihet në Evropë dhe Amerikën e Veriut vitet e fundit.

Ndërsa shumë politikanë kundër emigrantëve kanë një qëndrim më të favorshëm ndaj emigrantëve me aftësi më të larta sesa të huajt e tjerë, Sahin vështirë se mund të ishte përzgjedhur nga politikat e emigracionit të bazuara tek aftësia profesionale, që po favorizohen gjithnjë e më shumë nga qeveritë e vendeve të pasura.

Në fakt, nëse ai nuk do të kishte shkuar në Gjermani që fëmijë, bota nuk do ta kishte kuptuar kurrë atë që kishte humbur. Për pavarësisht shkëlqimin vetjak të Sahin, ai nuk kishte gjasa të arrinte aq shumë po të mos ishte zhvendosur në Gjermani, po të mos përfitonte nga një arsimim shkencor i shkëlqyer, dhe po të mos kishte shfrytëzuar mundësitë më të mëdha të kërkimit dhe biznesit që ofron Gjermania.

Në mesin e pandemisë së koronavirusit, në të cilën udhëtimet ndërkombëtare janë kufizuar shumë për arsye të shëndetit publik, dhe ku shumë vendas nuk janë në gjendje të punojnë, ekziston një kor i madh i atyre që argumentojnë se emigracioni nuk është më i nevojshëm.

Në veçanti Donald Trump, e zvogëloi shumë numrin e vizave të punës që ofrojnë çdo vit Shtetet e Bashkuara, gjoja për arsye ekonomike. Por kontributi i madh i Sahin dhe Tureci, është vetëm një nga shembujt e shumtë, se pse politika të tilla janë të gabuara dhe të dëmshme, siç e shpjegoj edhe në librin tim të ri “Ne dhe ata”.

Bizneset e hapura nga sipërmarrësit emigrantë, kanë luajtur një rol kryesor në mbështetjen e ekonomive dhe shoqërive këtë vit, pikërisht në një kohë kur shumë njerëz po punojnë nga shtëpia dhe shumë të tjerë janë të kufizuar në lëvizjet e tyre. Kështu Zoom, platforma e video-konferencave që e ka shpëtuar disi botën nga situata e vështirë, u themelua nga Eric Yuan, një emigrant kinez në Shtetet e Bashkuara.

DoorDash, aplikacioni më popullor i porositjes dhe shpërndarjes së ushqimit në Amerikë, u krijua gjithashtu nga emigranti kinezo-amerikan, Tony Xu. Babylon Health, një platformë britanike që u jep mundësi mjekëve t’u ofrojnë pacientëve konsulta në internet, u krijua nga Ali Parsa, qëlindi në Iran.

Pandemia ka përshpejtuar adoptimin e teknologjive dixhitale nga bizneset dhe familjet. Shumë shpesh, kompanitë që i ofrojnë këto zgjidhje teknologjike kanë themelues të lindur në vende të huaja. Gati gjysma e kompanive teknologjike në Silicon Valley – përfshirë Google dhe Tesla – u bashkë-themeluan nga emigrantët.

Në përgjithësinë gjithë sektorin e teknologjisë, punonjësit e huaj po japin gjithashtu një kontribut të madh. Nga 58 për qind e amerikanëve që janë doktoruar në shkenca kompjuterike kanë lindur jashtë vendit, dhe 6 në 10 punonjës shumë të kualifikuar në kompanitë e teknologjisë në Silicon Valley janë emigrantë.

Ndërkohë, emigrantët ofrojnë në mënyrë disproporcionale kujdes mjekësor. Më shumë se gjysma e mjekëve në Australi kanë lindur në një vend të huaj, ashtu si 38 për qind e mjekëve në spitalet britanike, dhe gati 30 për qind e mjekëve në SHBA. Ndërkohë dhe shumë nga infermierët janë emigrantë.

Në Itali, emigrantët zënë më shumë se gjysmën e fuqisë punëtore në sistemin e kujdesit social .Emigrantët nuk janë vetëm sipërmarrësit e aftë që po i ndihmojnë shoqëritë të përballojnë krizën e koronavirusit. Ata janë edhe punëtorët që shpesh marrin paga të ulëta, dhe që kryejnë punë fizike në sektorë thelbësorë si mbledhja dhe paketimi i ushqimit, mbushja e rafteve në supermarkete, sigurojnë dërgesat e pakove nëpër shtëpi, dhe punojnë me orë të gjata në magazinat e “Amazon”.

Ata janë njerëzit që pastrojnë spitalet dhe sistemet e transportit publik. Pas dekadave në të cilat gjithnjë e më shumë njerëz kanë qenë në lëvizje nëpër botë, këtë vit emigracioni është ndalur, ndërsa shumë emigrantë janë kthyer në shtëpitë e tyre. Por me ndihmën e vaksinave nga Pfizer-BioNTech dhe të tjerët, ekonomitë ka të ngjarë të rikthehen sërish në ngritje në vitin 2021, dhe bashkë me to edhe kërkesa për emigrantë. Çështja është nëse dhe kur qeveritë do t’i lejojnë njerëzit që të lëvizin, dhe nëse po cilët.

Kurbat shpesh janë më të lehta për t’u vendosur, sesa për t’u ngritur.

Shumë qeveri mund të zvarritin heqjen e kufizimeve të vendosura edhe pasi të ketë kaluar pandemia. Por brenda Bashkimit Evropian, ku njerëzit mund të qarkullojnë lirshëm nëpër të 27 vendet anëtare, flukset e migracionit ka të ngjarë të rikthehen shpejt pasi të hiqen bllokimet lokale.

Pasi u largua nga BE në janar, Britania po i jep fund të drejtave të lëvizjes së lirë të qytetarëve të BE-së në fund të këtij viti, dhe në këtë mënyrë u mohon shtetasve britanikë lirinë për të lëvizur kudo në BE. Për turp dhe ironi, politika e re brinake mbi emigracionin, do t’u mohojë hyrjen në vend të shumë infermierëve, punonjësve të kujdesit dhe punëtorëve të tjerë me paga të ulëta, të cilët ministrat e Boris Johnson dolën në rrugë për t’i duartrokitur gjatë bllokimit të parë.

Kjo qasje do të përkeqësojë mungesën e stafit mjekësor dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor, duke dëmtuar shëndetin dhe mirëqenien e britanikëve. Vitet e fundit, Trump dha një shembull të tmerrshëm për të gjithë botën me tiradën e tij të sulmeve ndaj emigrantëve, siç ishin etiketimet e meksikanëve si “vrasës” dhe “përdhunues” dhe politika të tjera mizore, përfshirë ndalimin e udhëtimit nga disa vende kryesisht myslimane, uljen e numrit të refugjatëve, ndarjen e fëmijëve nga prindërit e tyre në kufirin SHBA-Meksikë, dhe mbajtja e tyre si kafshë nëpër kafaz.

Për fat të mirë, presidenti i zgjedhur Joe Biden po premton t`a riparojë dëmin e bërë. Ndërsa një reformë gjithëpërfshirëse e emigracionit nuk ka gjasa të jetë e mundur, nëse republikanët do të ruajnë kontrollin në Senat, Biden është zotuar të anulojë shumë urdhrat ekzekutivë të Trump mbi emigracionin Për herë të parë në 4 vjet, qeveria amerikane do të japë së shpejti një shembull pozitiv mbi emigracionin, duke marrë edhe përfitimet ekonomike. Në të kundërt, nëse vende si Britania i mbajnë larg emigrantët, do të pengojnë rimëkëmbjen e tyre të shpejtë pas koronavirusit.

/Abcnews.al