Zyrtarët: Rinumërimi i votave nuk pritet të ndryshojë rezultatin në Georgia

schedule08:25 - 19 Nëntor, 2020

schedule 08:25 - 19 Nëntor, 2020

Rinumërimi i votave që vazhdon në Georgia nuk ka gjasa të ndryshojë rezultatin, në bazë të të cilit demokrati Joe Biden u shpall fitues i zgjedhjeve në këtë shtet të jugut amerikan, tha të mërkurën gjatë një interviste për rrjetin CNN sekretari i shtetit, Brad Raffensperger.

“Po e mbarojmë rinumërimin; presim edhe një numër të vogël komunash që ende nuk na kanë sjellë rezultatin – këto janë ndër komunat më të mëdha të shtetit por nuk besoj se do të ndryshojë totalen e rezultatit,” tha Raffensperger, zyrtari përgjegjës për proçesin zgjedhor në shtetin e Georgias.
Zyrtarët e zgjedhjeve në gjithë shtetin e Georgias u përballen të mërkurën me një afat për të përfunduar numërimin në mënyrë manuale të votave të shtetit të tyre për zgjedhjet presidenciale.

Numërimi i 5 milion votave erdhi si rezultat i një kërkese të parashikuar në një ligj të ri të shtetit dhe nuk ishte në përgjigje të ndonjë problemi të dyshuar me rezultatet e zgjedhjeve në këtë shtet ose një kërkese zyrtare për rinumërim. Ligji kërkon që kontrolli të bëhet para se rezultatet e qarqeve të mund të çertifikohen nga shteti.

Afati i fundit për qarqet për të përfunduar kontrollin ishte të mërkurën në orën 23:59, përpara afatit të së premtes për çertifikimin shtetëror.
Para se të bëhej numërimi manual, demokrati Joe Biden rezultonte me një epërsi prej rreth 14,000 votash ndaj Presidenti Republikan Donald Trump. Votat e pa numëruara më parë të zbuluara në dy komuna gjatë numërimit një nga një do ta ulin atë diferencë në rreth 13,000, tha Gabriel Sterling, i cili mbikëqyri zbatimin e sistemit të ri të votimit të shtetit për zyrën e Sekretarit të Shtetit.

Pasi të jenë çertifikuar rezultatet, nëse diferenca midis kandidatëve mbetet brenda 0.5%, fushata humbëse mund të kërkojë një rinumërim. Kjo do të bëhej duke përdorur skaner që lexojnë dhe vlerësojnë votat dhe do të paguhen nga shteti, ka thënë sekretari i shtetit Brad Raffensperger.
Gjatë dy javëve që nga zgjedhjet, Raffensperger ka qenë nën sulm nga republikanët, që nga presidenti e gjithë të tjerët.
Dy senatorët amerikanë të Georgias të cilët përballen me konkurrencë të fortë nga demokratët në zgjedhjet e balotazhit të 5 janarit, javën e kaluar kërkuan dorëheqjen e Raffensperger.

“Sekretari i Shtetit ka dështuar të sigurojë zgjedhje të ndershme dhe transparente,” shkruajnë senatorët David Perdue dhe Kelly Loeffler në një letër.
Anëtari i Kongresit, Doug Collins, i cili po drejton përpjekjet e Trump për rinumërimin në Georgia, ka shkëmbyer polemika në mediat sociale me Sekretarin e Shtetit. Dhe gjatë fundjavës, presidenti shkroi në Twitter se Raffensperger – të cilin ai e mbështeti në një balotazh dy vjet më parë – është “një i ashtuquajtur Republikan (RINO)”, duke përdorur shkurtesën për “Republikan vetëm me emër”.

Raffensperger ka mbrojtur me vendosmëri trajtimin e zgjedhjeve nga shteti dhe numërimin pasues. Ai ka thënë se zyra e tij nuk ka parë prova mashtrimi të gjerë të votimit ose parregullsi dhe ai ishte i bindur se kontrolli do të konfirmonte rezultatet e zgjedhjeve.

Associated Press nuk ka deklaruar fitues në garën presidenciale në Georgia, ku Biden udhëhiqte me një diference 0.3 për qind ndaj Trump. Në Georgia nuk ka një ligj për rinumërim të detyrueshëm, por ligji shtetëror siguron atë mundësi për kandidatin që ka më pak vota nëse diferenca është më pak se 0.5 për qind. AP nuk bën parashikim për rezultatin e një garë që ka të ngjarë të bëhet subjekt i një rinumërimi./abcnews.al