Autoritetet në Shtetet e Bashkuara kanë parandaluar një sulm terrorist të planifikuar për më 4 Korrik, që është dhe festa kombëtare. FBI ka vënë në pranga një person që do të shpërthente një sasi eksplozivi gjatë paradës.
Agjentët e FBI-së kanë arrestuar në Cleveland një person të dyshuar se po organizonte sulme terroriste me rastin e festës së 4 Korrikut. Demetrius Pits kishte qenë nën mbikëqyrjen e oficerëve federalë pasi më parë në rrjetet sociale kishte bërë disa postime në mbështetje të Al Kaedës.
Pits, shtetas amerikan, kishte bërë edhe kërkime në terren për të gjetur vendet e duhura për të vendosur eksplozivët. Tani ai rrezikon deri në 20 vjet burg. Agjenti special Steve Anthony, shef i zyrës së FBI-së në Klivlend ka deklaruar në një konferencë për shtyp se i dyshuari kishte bërë në vazhdimësi deklarata që nxisnin dhunën dhe kishte shprehur vullnetin për të kryer sulme terroriste në Shtetet e Bashkuara, për llogari të Al Kaedës.
Pits, i cili kishte edhe një pseudonim arab, fliste në profilin e tij për urrejtjen ndaj ushtrisë, shprehte dëshirën për të prerë kokë dhe duar, si dhe për të kryer atentate të tjera në të ardhmen, duke zgjedhur Filadelfian dhe Pensilvaninë. Pas këtyre konstatimeve, një agjent i infiltruar është afruar me të dyshuarin, i cili i ka treguar se donte të shpërthente një bombë në paradën e 4 Korrikut. Menjëherë më pas atij i janë vënë prangat, por autoritetet nuk japin detaje të tjera, pasi hetimet janë ende në vazhdim./abcnews.al