Disa qindra mijëra sirianë janë detyruar të zhvendosen në muajt e fundit si pasojë e luftimeve të ashpra. Motiv i kësaj lëvizjeje është bërë ashpërsimi i ofensivës ushtarake të presidentit Assad në jug-perëndim të vendit.
Të paktën 270 mijë persona kanë braktisur shtëpitë e tyre në jug-perëndim të Sirisë që kur ushtria nisi sulmet ndaj zonave të rebelëve dy javë më parë. Kështu thonë Kombet e Bashkuara, sipas të cilave shumica e të zhvendosurve janë nga provincat Deraa dhe Kuneitra dhe janë po lëvizin drejt kufirit me Jordaninë dhe Lartësitë Golan, që janë nën kontrollin izraelit.
Por asnjë nga vendet nuk ka deklaruar nëse do të lejojë hyrjen e fluksit të njerëzve, duke ngritur shqetësimin për një katastrofë humanitare. Trupat qeveritare kanë avancuar në ofensivën e tyre të ndihmuara nga sulmet ajrore ruse. Ditën e diel, rebelët në qytetin e madh Bosra al Sham ranë dakord të ulnin armët dhe të pranonin sundimin e presidentit Bashar al Assad. Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, mbi 130 civilë janë vrarë që kur aksionet ushtarake u përshkallëzuan.
Provincat Deraa dhe Kuneitra kanë qenë të qeta për thuajse një vit për shkak të marrëveshjes së anti-përshkallëzimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Jordania, që mbështesin opozitën, dhe Rusia, aleate e qeverisë. Por presidenti Assad rinisi aksionet ushtarake pasi mposhti fraksionet rebele në Gutën Lindore, një rajon në rrethinat e Damaskut, në Prill./abcnews.al