Belgjika favorite ndaj Japonisë

schedule18:03 - 2 Korrik, 2018

schedule 18:03 - 2 Korrik, 2018

Belgjika cilësohet favorite për kualifikim në çerekfinale ndaj Japonisë, në sfidën e sotme të Kupës së Botës. Talentet belgë kanë ambicie të mëdha.

Nuk mund të bëjmë gabim ta quajmë të lehtë. As kur luan Belgjika me Japoninë vështirë të thuash se kualifikimi do të vendoset lehtë. Disfatat e Gjermanisë e Spanjës ndodhën dhe Belgjika nuk mund të ketë nënvleftësim. Kapiteni Hazard e shpreh shumë mirë se çfarë mendohet në ekipin e tij.

Eden Hazard:“Ne jemi sot shumë më të fortë se dy vjet më parë, apo se 4 vjet më parë. Dy vjet më parë është e vërtetë që gabuam ndaj Uellsit, por jemi më të pjekur, dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Ne kemi më shumë përvojë dhe luajmë si grup, jo duke u bazuar në disa lojtarë. Duam që të arrijmë deri në finale, por së pari le të mendojmë për ndeshjen ndaj Japonisë që nuk do të jetë aspak e lehtë”.

Trajneri Roberto Martinez tregon gjendjen e skuadrës.

Roberto Martinez: “Jemi në një moment shumë të mirë dhe nuk kemi probleme, me përjashtim të një dëmtimi të lehtë të Januzajt. Kam besim se lojtarët do të luajnë një ndeshje të madhe dhe se do të fitojnë, ndonëse duhet të jemi të përgatitur për gjithçka, edhe për penalltitë. Japonia sot ka më shumë përvojë, me mjaft lojtarë në Europë, dhe me dy skema taktike të ndryshme, ndaj është edhe më e rrezikshme”.

Japonia, po ashtu ka besim në vetvete. Trajneri Akira Nishino thekson se kjo pritet të jetë e treta e vërteta, me ekipin e tij që të kualifikohet për herë të parë në çerekfinale. Edhe ai la pushim shumë lojtarë në ndeshjen e fundit në grup, ashtu siç bënë belgët, dhe futbollistët japonezë pritet të jenë më të shlodhur, pra më agresivë. Të dyja skuadrat pritet të kenë mbështetje të fortë nga tifozët e tyre në “Rostov Arena”, por besohet se numri më i madh do të jetë në favor të Japonisë./abcnews.al