Departamenti amerikan i Drejtësisë ka tërhequr padinë për trafik droge e pastrim parash ndaj ish-sekretarit meksikan të Mbrojtjes, Gjeneralit Salvador Cienfuegos. Lajmi u njoftua të martën nga Prokurori i Përgjithshëm William Barr.
Zoti Barr tha se Departamenti do të heqë dorë nga çështja në mënyrë që zoti Cienfuegos “të hetohet dhe nëse do të jetë e përshtatshme, të akuzohet, sipas ligjit meksikan”.
Gjeneral Salvador Cienfuegos, akuzat ndaj të cilit u ngritën në gjykatën federale të Bruklinit, u arrestua muajin e kaluar në Los Anxhelos.
Ai drejtoi ushtrinë meksikane për gjashtë vjet nën ish-Presidentin Enrique Peña Nieto dhe ishte ish-zyrtari më i lartë i kabinetit i arrestuar që pas prangosjes së zyrtarit të lartë meksikan për çështje të sigurisë Genaro Garcia Luna, në Teksas në vitin 2019.
Në 2019 një juri e madhe federale në Nju Jork e akuzoi zotin Cienfuegos për pjesëmarrje në një skemë ndërkombëtare trafiku droge e pastrimi parash. Sipas prokurorëve, gjenerali Salvador Cienfuegos kishte ndihmuar kartelin H-2 të trafikonte me mijëra kilogramë kokainë, heroinë, metamfetaminë dhe marjuanë ndërsa ishte sekretar i Mbrojtjes, nga viti 2012 në 2018.
Prokurorët thanë se disa mesazhe të përgjuara tregonin se zoti Cienfuegos ishte përpjekur që ushtria të mos ndërmerrte veprime kundër kartelit si dhe që të kryeshin operacione kundër grupeve rivale në këmbim të ryshfetit. Ai ishte akuzuar gjithashtu se i kishte prezantuar udhëheqësit e kartelit me zyrtarë të tjerë të korruptuar meksikanë.
Muajin e kaluar në dokumentet e gjykatës, shkruhej se prokurorët amerikanë kishin argumentuar se gjenerali Salvador Cienfuegos rrezikonte të largohej dhe se ai “me gjasë do të shfrytëzonte lidhjet e tij me anëtarët e nivelit të lartë të kartelit H-2 në Meksikë si dhe me ish-zyrtarë të lartë të korruptuar për t’u arratisur e strehuar në Meksikë”. Nëse do të dënohej ai do të ishte përballur me të paktën 10 vjet heqje lirie në një burg federal amerikan.
Gjatë kohës që ushtria meksikane drejtohej nga gjenerali Cienfuegos, ajo u akuzua për abuzime të shpeshta me të drejtat e njeriut, sikurse paraardhësit apo pasardhësit e tij në këtë post. Skandali më i rëndë gjatë mandatit të zotit Cienfuegos lidhej me vrasjet nga ushtria në 2014 të disa të dyshuarve në një depo drithi.
Gjatë masakrës së qershorit 2014 ushtarët vranë 22 të dyshuar në një magazinë në qytetin Tlatlaya. Ndërsa disa u vranë gjatë një shkëmbimi zjarri me patrullën e ushtrisë, gjatë së cilës u plagos edhe një ushtar, një hetim i mëvonshëm i ngjarjes tregoi se rreth 12 të dyshuar ishin ekzekutuar pas dorëzimit të tyre.
Në një deklaratë të përbashkët me Prokurorin e Përgjithshëm meksikan Alejandro Gertz Manero, zoti Barr tha se Departamenti i Drejtësisë kishte marrë vendim për të hequr dorë nga çështja në SHBA për shkak të “partneritetit të fortë në kuadër të zbatimit të ligjit mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara dhe në interes të demonstrimit të një fronti të bashkuar kundër të gjitha formave të krimit”.
Departamenti i Drejtësisë tha se i kishte ofruar autoriteteve meksikane provat e mbledhura rreth kësaj çështjeje./VOA