Muharrem Sahiti, krahu i djathtë i Bernard Challandes te Kosova, do ta drejtojë përfaqësuesen dardane edhe në ndeshjen kundër Moldavisë, që luhet nesër prej orës 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Krah tij ishte edhe mesfushori Herolind Shala, i cili në ndeshjen kundër Sllovenisë mungoi për shkak se ishte i pezulluar me kartonë të verdhë.
MUHARREM SAHITI – “Ka qenë vit i vështirë, por kemi fituar përvojë. E kemi ndeshjen e fundit ku synojmë të qëndrojmë në Ligën C. Do ta presim shortin në dhjetor dhe duhet të bëhemi gati për ciklin kualifikues”, tha fillimisht Sahiti.
Më pas ai shtoi: “Mendoj se jemi penalizuar më së shumti, por tani gjendja e lojtarëve është e mirë. Paraqitja ndaj Sllovenisë na ka ngritur moralisht, ndaj Moldavisë jemi favorit. Gjithsesi kjo nuk duhet të jetë bazë, por duhet të përqendrohemi maksimalisht për ta synuar fitoren”.
“Nuk jemi të kënaqur me rezultatet dhe duhet të punojmë për t’u kthyer vetëbesimi. Duhet ta kemi të qartë që nuk jemi prej atyre më të fortëve, pasi çdo mungesë ka qenë e madhe për ne. Besoj se shumë shpejt dhe që nga nesër do të organizohemi”.
HEROLIND SHALA – Më pas e mori fjalën mesfushori: “Synimi jonë është që të qëndrojmë në Ligën C. Jemi përgatitur, kemi kualitet dhe nuk kemi çka të kërkojmë në Ligën D. Besoj se nesër duhet t’i tregojmë cilësitë tona”.
“Ndaj Moldavisë jemi favorit në shtëpi, por duhet pasur kujdes. Të gjitha ekipet që nuk fitojnë prej një kohe të gjatë janë problematike, por ne duhet të dalim si ekip i bashkuar për ta rikthyer entuziazmin mes nesh”, përfundoi mesfushori. /abcnews.al