“Ky ekip më kujton Milanin e Sacchit, Ibra si Van Basten. Donnarumma? S’duhet të harrojë diçka”

schedule19:19 - 16 Nëntor, 2020

schedule 19:19 - 16 Nëntor, 2020

Franco Baresi u zgjodh pak ditë më parë si zëvendës presidenti i nderit i Milanit. Ish-kapiteni legjendar i kuqezinjve, ka dhënë një rrëfim interesant, duke vlerësuar ekipin aktual, momentalisht në krye të Serie A.

Baresi thur elozhe për Zlatan Ibrahimovic, të cilin e krahason me emra të paharrueshëm si Marco Van Basten dhe Ruud Gullit, ndalet te objektivat e ekipit të Piolit, ndihet i lumtur që Paolo Maldini po shkëlqen edhe si drejtues dhe e mbyll me një koment e këshillë për Gigio Donnarummën, i cili ndodhet në vitin e fundit të kontratës.

Ky ekip më kujton Milanin e parë të Arrigo Sacchit. Askush nuk besonte te ne atëherë, por me kalimin e kohës ia dolëm të arrinim objektivat tanë. Më bindje dhe përkushtim ia dilet të realizosh gjëra të papritura. Ibrahimovic bën diferencën, njësoj siç e bënin Van Basten dhe Gullit.

Diçka ndodhi brenda lojtarëve pas pandemisë, ia dolën të nxjerrin në pah kualitetin e duhur për të konkurruar në nivele të larta. Te ky Milan ekziston vetëdija se mund të përballen si të barabartë me të gjithë. Pioli është treguar i aftë në simulimin e grupit dhe ka gjetur një skemë që i përfshin të gjithë.

 

Kuqezinjtë duke festuar një gol të Ibrahimovic

Lojtarët janë të qetë dhe po ia dalin të japin më të mirën e tyre. Objektivi? Milani duhet të mendojë gjithmonë për të shkuar sa më lart. Skuadra ka krijuar besim dhe po tregon vazhdimësi në rezultate, lojtarët thjesht duhet të kenë pak më shumë kurajo.

Më pas është Ibra, një lojtar i jashtëzakonshëm. Është e pabesueshme ajo që arrin të bëjë dhe të transmetojë te lojtarët e tjerë. Zlatan duket si një 20-vjeçar, është i fortë fizikisht dhe ka personalitet.

Maldini? Paolo po tregon të gjithë cilësitë e tij edhe si drejtues. Është gjithmonë i vëmendshëm dhe kompetent, ai dëshiron një Milan protagonist në të ardhmen, njësoj siç ka qenë ky ekip në të kaluarën. Vështirësi ka plot, por është për t’u admiruar puna që po bën si drejtues.

Donnarumma? Gigio është një produkt i yni, është rritur këtu dhe është një milanist i vërtetë. Ai duhet të bëjë zgjedhjet e tij në qetësi të plotë, rëndësi ka që vendimi që do marrë ta bëjë të lumtur. Unë kam kaluar gjithë karrierën te Milani, kam kaluar edhe momente të vështira, por nuk jam penduar kurrë.

Gigio nuk duhet të harrojë që është pjesë e Milanit, një nga skuadrat më fituese në planet. Ndodhet në skuadrën e tij të zemrës, është e rëndësishme të mos e harrojë këtë gjë“, përfundon Franco Baresi. /abcnews.al