Gjatë fjalës së tij në panelin Crans Montana në Bruksel, ish-kryeministri Sali Berisha ka theksuar mungesën e investimeve në projekte reale të Bashkimit Europian per vende të Ballkanit, të cilat ende aspirojnë integrimin në Union.
Pjesëmarrës si panelist në forumin Crans Montana në Bruksel kushtuar Europës Julindore dhe integrimit në Bashkimin Europian, ish-kryeministri Sali Berisha, nga pozita e opozitarit si vetë e quajti, i kërkoi Bashkimit Europian më shumë për Shqipërinë dhe rajonin. Siguria është problemi më konsistent në Ballkan, sipas tij, dhe për këtë Bashkimi Europian ka mungesat e tij.
“Nëse marrim çështjet e sigurisë, rajoni nuk është ende i sigurtë. Ai ka fituar luftën por ende jo paqen. Dua t’u rikujtoj se rreth nje vit më parë ishin të mundura të paktën tre konflikte në rajon; një midis Serbisë dhe Kosovës, një tjetër brenda Maqedonisë, tjetri brenda Shqipërisë. Kjo është e vërteta. Kush i zgjidhi këto? Asistent Sekretari i Shtetit i zgjidhi ato. Nuk ishte Komisioni Europian, nuk ishte Bashkimi Europian”.
BE-ja është treguar burokrate me vendet e Ballkanit që ende aspirojnë integrimin, si në politika ashtu edhe në investime thekson Berisha.
“Ballkani ka qenë, për shumë arsye, një rajon i panjohur për Europën, mbi 40 vite në diktatura dhe izolim dhe kam frikë se ende nuk është i njohur. Shihni terminologjinë. Përdornin termin Ballkan, tani Ballkan Perëndimor. E shpikën këtë term pasi Ballkani Perëndimor nuk ka ekzistuar kurrë. Burokratët në Bruksel shpikën këtë term. Bashkimi Europian ka dhënë miliarda e miliarda euro ndihmë bujare vendeve tona por në këto tre dekada nuk ka asnjë projekt real të sponsorizuar nga BE për këtë rajon. Janë të trembur nga influenca kineze apo turke”.
Investimet në rajon kanë ardhur pikërisht nga këto vende, thekson Berisha, dhe liderët e vendeve ballkanike nuk kanë pse refuzojnë projekte reale që ndikojnë në ekonominë e pa incentivuar nga Europa e bashkuar, theksoi ai.
“Autostrada që lidh Beogradin dhe Budapestin është një investim kinez, nuk është një investim i BE. Autostrada që do lidhë Beogradin me Sarajevën do jetë një investim turk. TAP është një përpjekje lokale e qeverive të rajonit dhe investim i nje konsorciumi kryesisht privat. Korridori 8 që nga 91 është në tavolinë dhe njëriu që e shtyu më shumë ndërtimin e atij korridori ishte Bill Clinton. Ai dekretoi një fond për studimin e fizibilitetit dhe hapi një zyrë në Sofje, por ky projekt tani është i vdekur. Për rajonin janë jetike projektet rajonale”.
Gjatë takimin ish-kryeminsitri Berisha u takua edhe me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev edhe ky pjesë e panelit Crans Montana./abcnews.al