Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov deklaroi se Moska do të ndërmarrë veprime ndëshkuese kundër zyrtarëve gjermanë dhe francezë, në shenjë hakmarrjeje për sanksionimin e disa zyrtarëve rusë.
BE akuzoi shërbimet e sigurisë ruse për bashkëpunim në sulm dhe, si rezultat, vendosi sanksione ndaj gjashtë zyrtarëve të lartë të Kremlinit, përfshirë Alexander Bortnikov, kreun e Shërbimit Federal të Sigurisë së Moskës (FSB).
Navalny u ndje keq gjatë një fluturimi nga Siberia në Moskë më 20 gusht dhe qëndroi në gjendje kome gati për 3 javë. Dy ditë më vonë, ai u transferu në spitalin Charite të Berlinit, ku mjekët zbuluan gjurmë të agjentit nervor Noviçok në trupin e tij.
Gjetjet e tyre janë konfirmuar në mënyrë të pavarur edhe nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike.
“Meqenëse Gjermania fshihej pas sanksioneve që vendosi Bashkimi Europian, për shkak të rastit Navalny, dhe meqenëse sanksionet shenjestrojnë punonjësit kryesorë të zyrës presidenciale të Federatës Ruse, sanksionet tona do të jenë të barabarta”, tha Lavrov, duke shtuar se ato do të prekin punonjësit e administratave të udhëheqësve të Gjermanisë dhe Francës.
Lavrov po ashtu sugjeroi se Navalny mund të jetë helmuar me agjent nervor ose në klinikën Charite në Berlin, ose në bordin e avionit që e ka transportuar në Berlin. Navalny, i cili vazhdon të qëndrojë në Gjermani, e ka fajësuar presidentin rus, Vladimir Putin, për helmimin e tij, ndërsa Kremlini ka mohuar çdo akuzë./abcnews.al