Sondazh

Mendoni se po zbatohet si duhet vendimi i Gjykatës së Lartë për rishikimin e praktikës së paraburgimit?

Loading ... Loading ...
 

Meta i drejtohet SPAK-ut për “Metrologjinë”: Ligj klientelist, filloni hetimin

schedule16:01 - 12 Nëntor, 2020

schedule 16:01 - 12 Nëntor, 2020

Pasi ktheu mbrapsht ligjin e ri për Metrologjinë, Presidenti Meta ka vënë në dijeni edhe Prokurorinë Speciale në lidhje me shkeljet e konstatuara në të duke kërkuar njëkohësisht nisjen e një hetimi.

Përmes një letre dërguar SPAK-ut, Meta arsyeton se ky ligj ka përmbajtje të lartë antikushtetutshmërie, me parashikime në shkelje flagrante të parimeve themelore kushtetuese të funksionimit të tregut të lirë dhe konkurrues.

Meta tekson më tej se ligji duket se synon të ligjërojë një skemë për qëllime klienteliste, në dhënien me koncesion të shërbimit shtetëror tek subjekte privat, në mënyrë të pakontrolluar, dhe pa negociuar asnjë kusht për mbrojtjen e interesit shtetëror.



Ndër të tjera, Presidentin arsyeton:

Ky ligj:

– shmang konkurrencën e lirë;
– dëmton interesin publik;
– cenon interesat e shtetasve dhe të konsumatorit;
– cenon financiat publike;
– krijon shteg për abuzim me të drejtat e konsumatorit në tërësi;
– mbart rrezikun e prodhimit të kostove shtesë për një shërbim që duhet të kryhej nga shteti;
– ligjëron ekskluzivitetin e ushtrimit të shërbimeve publike nga subjekte të caktuar privatë duke krijuar vetë ligjvënësi monopole, në cenim të tregut të lirë e konkurrues;
– është tregues se si ligjvënsi nuk ushtron më veprimtarinë dhe vendimmarrjen në mbrojtje të interesit publik, por është orientuar në mbrojtje të një pakice subjektesh private.

E thënë thjesht, ky ligj, nisur nga përmbajtja evazive e dispozitave që lidhen me dhënien e autorizimeve dhe mungesës së qëllimshme të mekanizmave kontrollues, krijon bindjen tek publiku, e jo vetëm te Presidenti i Republikës, se de facto i hapet rruga dhënies së të drejtave koncesionare të tjera, në mënyrë të fshehtë, në shkelje flagrante të procedurës konkurruese sipas legjislacionit në fuqi.

Pra, përmes këtij ligji sipas përmbajtjes së miratuar, nga nesër çdo shërbim që kërkon certifikimin metrologjik, mund të jepet me koncesion pa garë, por thjesht dhe vetëm me firmën e një drejtori.

Përmes ligjit për metrologjinë, synohet që paligjshmërisë dhe abuzimit t`i sigurohet mbrojtje ligjore.

Përmes letrës, Meta i kërkon SPAK-ut që të nisë menjëherë hetimet se si ka nisur procedura për hartimin e këtij ligji si edhe se si është shqyrtuar në organet përgjegjëse.

Nisur nga niveli shumë i lartë i hapësirave që lejon ky ligj për praktika abuzive me dhënien e autorizimeve dhe ofrimit të shërbimit publik nga subjekte private, si President i Republikës, përmes kësaj shkrese i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të nisë menjëherë hetimet për të verifikuar se si është ndërmarrë dhe shqyrtuar nisma nga qeveria dhe cilat kanë qenë arsyet reale dhe autorët që e kanë shtyrë apo keqinformuar Kuvendin e Shqipërisë të pranojë këtë rregullim ligjor në dëm të interesit publik, duke vendosur përpara përgjegjësisë të gjithë ata që kanë iniciuar, punuar, ndihmuar, lehtësuar dhe kanë bërë të mundur që kjo nismë të shohë dritën e miratimit në Kuvend dhe t`i hapë rrugën praktikave abuzive me pasurinë publike dhe të ardhurave të qytetarëve gjatë zbatimit në praktikë“, thekson Presidenti.

Më tej, ai shton:

Nisur nga niveli i hapësirave të mëdha që lënë parashikimet e këtij akti për abuzime me qëllime klienteliste, krijohet dyshimi i bazuar se administrata shtetërore ka qënë nën ndikim apo presion për propozimin deri në Kuvendin e Shqipërisë të parashikimeve ligjore që mundësojnë dhënien e autorizimeve duke shmangur kërkesat e legjislacionit në fuqi që garanton konkurrencën e lirë e të ndershme, barazinë e palëve në procedurat konkurruese, kontrollin shtetëror mbi mënyrën e ushtrimit të shërbimeve publike të detyrueshme nga subjekte private.

Ndërsa përmes parashikimeve të fshehura dhe të paqarta ligjore, krijohen të gjitha dyshimet e arsyeshme se synimi është vendosja nën mbrojtje ligjore të çdo abuzimi që do të mund t`i bëhet shtetit shqiptar dhe qytetarëve të tij.

Presidenti i Republikës është i ndërgjegjshëm se deputetët nuk mbajnë përgjegjësi për mendimet e shprehura dhe për votën e dhënë në ushtrim të funksionit.

Kjo është përgjegjësi e natyrës politike, gjyqtar i së cilës është publiku shqiptar me anë të instrumentit politik të votës gjatë zgjedhjeve.

Por ky parashikim kushtetues, nuk mund të përdoret kurrësesi si një “strehë imunitare” për veprimet e tjera të ndëshkueshme penalisht të kryera nga administrata, anëtarët e qeverisë dhe anëtarët e Kuvendit, që i paraprijnë apo e bashkëshoqërojnë miratimin e një ligji.

Në arsyetimin që bëri në dekretin e kthimit të ligjit, Meta thekson se akti krijon hapësira për zhvillimin e praktikave korruptive dhe shtron terrenin që këto praktika në dëm të interesit të popullatës dhe interesit publik, të realizohen drejtpërdrejtë përmes ligjit dhe mbrojtjes që ai ofron për subjektet që do t`i realizojnë ato.

Sipas Presidentit, ligji i hap rrugën një serie koncensionesh, përmes të cilave mund të dëmtohet rëndë interesi publik. Kjo, pasi sipas tij, kocensionari mund të kërkojë verifikimin e mjeteve të ndryshme të matjes duke mos patur asnjë kufizim ligjor.  /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!