Nga James Gallagher, BBC
Me një vaksinë kundër Covid-19 që duket të jetë në horizont, zyrtarët shëndetësorë po shohin përpara për të trajtuar kapitullin e ardhshëm të pandemisë: Si do vendoset përparësia për kryerjen dhe shpërndarjen e vaksinës.
Pfizer njoftoi të hënën se të dhënat tregojnë se vaksina e saj është 90% efektive në parandalimin e virusit.
Drejtuesit e ndërmarrjes thanë se duhen më shumë të dhëna për sigurinë për të përcaktuar nëse ka efekte anësore, por ata parashikojnë që të dhënat do të jenë në dispozicion në fund të nëntorit.
Sipas Departamentit Amerikan të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, një vendim përfundimtar për përparësinë e vaksinës nuk do të merret derisa të vijë koha për ta shpërndarë atë, por grupe të ndryshme ekspertësh kanë dhënë rekomandimet e tyre se kush duhet të marrë dozat e para.
A është përdorur ndonjëherë më parë kjo lloj vaksine?
Nuk ka vaksina të ARN-së që janë aprovuar për përdorim tek njerëzit.
Ideja e një vaksine të tillë është hulumtuar më parë dhe u është dhënë njerëzve për sëmundje të tjera. Vaksina do të kontrollohet nga agjencitë rregullatore në të gjithë botën, të cilat do të vendosin nëse mund të aprovohet për përdorim.
Cilët do të jenë personat që do të vaksinohen të parët?
Çdo gjë varet nga mosha që keni, pasi mosha është faktori më i madh i rrezikut ndaj Covid-19.
Në Britaninë e Bashkuar, të moshuarit dhe personeli i azileve janë në krye të listës paraprake të përparësive për tu vaksinuar me Covid-19. Më pas vijnë punonjësit shëndetësorë, si personeli i spitalit.
Përparësia për tu vaksinuar do të jetë sipas moshës dhe personat nën 50 vjeç do të jenë në fund të listës. Vaksinimet e para mund të ndodhin para Krishtlindjeve nëse gjithçka shkon siç duhet.
Sidoqoftë, ekzistojnë sfida të mëdha logjistike që duhen kaluar ende- një nga ato është ruajtja e vaksinës në minus 80C.
A do të prodhojë mbrojtje të mjaftueshme?
Është e pamundur të dimë përgjigjen e saktë dhe për këtë gjë do të na duhet të presim.
Nëse imuniteti nuk zgjat, atëherë mund të jetë e nevojshme të bëni një vaksinë çdo vit, në të njëjtën mënyrë si me gripin.
Nuk ka të dhëna nëse mbrojtja nga Covid-19 është e njëjtë për të gjitha grupmoshat. Sidoqoftë, studimet e hershme kanë treguar se të rinjtë dhe të moshuarit mund të prodhojnë një përgjigje imune.
Gjithashtu personat me imunitet të dobët nuk do të vaksinohen.
A do të ketë efekte shëndetësore afatgjata?
Asgjë në mjekësi nuk është 100% e sigurt – edhe diçka që marrim pa u menduar, si paracetamoli, ka rreziqe.
Të dhënat e deritanishme janë pozitive pas provave të kryera te 43.500 njerëz të cilët nuk shfaqën shqetësime në lidhje me sigurinë apo efektivitetin e vaksinës, por u raportuan vetëm disa efekte të lehta anësore.
A do të thotë se nuk kemi nevojë për bllokim të 3?
Shpresojmë që po, të paktën për një periudhë kohë.
Nëse shumica e njerëzve janë imunë, virusi nuk do të përhapej dhe nuk do të kishim nevojë për masa të tjera për të kontrolluar përhapjen. Sfida e vërtetë është prodhimi i vaksinave dhe vaksinimit i të gjithë popullatës. Kjo do të marrë kohë për të kontrolluar virusin deri atëherë.
Pra, testimi, bllokimet, distancimi shoqëror dhe mbajtja e maskave do të jenë pjesë e përditshme e jetës tonë.
Po sikur virusi të pësojë mutacion?
Viruset pësojnë mutacion gjatë gjithë kohës. Pyetja është, a do të pësojnë mutacion ata në një mënyrë që do të ndryshojë edhe rrezikshmërinë e tyre?
Deri më tani nuk ka asnjë shenjë që kjo të ndodhë, por ekziston mundësia që në të ardhmen virusi të pësojë mutacion kështu që vaksina mund të bëhet më pak efektive.
Nëse kjo ndodh, atëherë mund të jetë e nevojshme të zhvillohet një vaksinë e re e koronavirusit.
Kjo nuk është e pazakontë. Një vaksinë e re e gripit zhvillohet çdo vit në përpjekje për të “shpëtuar” nga llojet e gripit që vazhdojnë të bëjnë xhiro.
Pse vetëm Pfizer mund të zhvillojë një vaksinë të tillë?
Vaksina është zhvilluar nga Pfizer dhe BioNtech, dhe ata kanë të drejtën mbi prodhimin.
Ata tashmë kanë kapacitetin prodhues për të prodhuar 1.3 miliardë doza deri në fund të vitit të ardhshëm, por mund të bëhen partnerë me kompani të tjera për të rritur kapacitetin edhe më tej.
Çfarë duhet të dimë për vaksinën?
Ne nuk e dimë nëse vaksina na parandalon të infektohemi apo të përhapim virusin. Gjithashtu nuk e dimë sa mbrojtëse është vaksina në grupe të ndryshme moshe.
Këto do të jenë thelbësore për të kuptuar se si do të përdoret.
Çfarë do të thotë kjo në lidhje me vaksinat e tjera?
Ky është një lajm i mirë. Kjo tregon se një vaksinë e koronavirusit është gati, gjë për të cilën ishim të shqetësuar disa ditë më parë.
Ka rreth një duzinë vaksinash në fazat e fundit të provave klinike.
Por akoma duhet të presim për rezultatin përfundimtar pavarësisht se rezultatet deri më tani janë shumë pozitive. Një vaksinë e mirë e gripit mbron rreth gjysmën e njerëzve, kështu efektiviteti prej 90% në përpjekjen e parë është një triumf. s.ba/abcnews.al

