Kritika të forta për Spanjën pas kualifikimit të vështirë në Botëror. Po ashtu, akuza për gjyqtarin pasi nuk i dha kartonin e kuq Cristiano Ronaldos.
Një minutë çmendurie vendosi gjithçka.
Spanja e para e grupit, Portugalia e dyta, dhe jehona, reagimet e kritikat nuk mund të mungonin.
Ja mediat spanjolle.
“Marka”: Rroftë VAR-i! Por, në këtë mënyrë nuk e fitojmë Botërorin!
Njësoj edhe “AS”: Rroftë VAR-i! Spanja fiton grupin në një minutë të denjë për Hiçkokun!
“El Mundo Deportivo” në Barcelonë: Faleminderit VAR! E kuqja kalon si e para në grup dhe do të luajë ndaj Rusisë në të tetat e finaleve!
“Sport”: Të parët në një minutë çmendurie! VAR-i vendosi!
Në Portugali, toni ishte pak më ndryshe.
“Magji dhe vuajtje, shkruan “A Bola”, shkëlqen Quaresma, gabon Ronaldo, dhe kombëtarja na lë me zemër në dorë!
Gazeta “Rekord”: Magjike dhe e vuajtur! Seleksioni lejon t’i shpëtojë vendi i parë në grup dhe tani përballet me Uruguajin!
“O Zhogo”: Nga dera e pasme! Goli i madh i Quaresma-s dha iluzionin e lehtësisë, që kurrë nuk erdhi!
Spanja u kritikua ashpër për lojën, dhe trajneri Hierro ra dakord.
“Nuk është kjo mënyra për të fituar Kupën e Botës,– tha ai,- mbrojtja më shqetëson, nuk mund t’i lejojmë rivalëve kaq shumë raste”.
Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, i doli në krah Cristiano Ronaldos që pati një mbrëmje për t’u harruar.
“Është normale që të jetë i mërzitur, kështu ndodh me të gjithë lojtarët e mëdhenj, – tha Santos, – por është normale edhe të humbësh penallti”.
Ronaldo rrezikoi të merrte kartonin e kuq, kur goditi me bërryl një lojtar të Iranit.
Gjyqtari u këshillua me VAR-in, por i dha yllit të Realit vetëm të verdhë.
Kjo detyroi trajnerin e Iranit, Carlos Queiroz, që të shprehej se “rregullorja është e qartë, duhej dhënë karton i kuq, por mesa duket lojtarë si Messi apo Ronaldo trajtohen ndryshe”.
Cristiano rrezikonte të mungonte ndaj Uruguajit, në një ndeshje për jetë a vdekje në të tetat e finaleve./abcnews.al