OSBE kritikon kushtet e pabarabarta të fushatës në Turqi

schedule09:59 - 26 Qershor, 2018

schedule 09:59 - 26 Qershor, 2018

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha se megjithëse zgjedhjet e së dielës në Turqi, që i fitoi Presidenti Recep Tayyip Erdogan, ishin të drejta, kushtet për fushatën nuk ishin të barabarta.OSBE-ja që vëzhgoi zgjedhjet tha në një deklaratë të hënën, se Presidenti dhe partia në pushtet “gëzuan një avantazh të padrejtë, përfshirë mbulimin e zgjeruar nga organet shtetërore dhe private të medias të lidhura me qeverinë”.

Në një deklaratë të përbashkët, Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe Komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn përmendën rezultatet e misionit, duke refuzuar të urojnë presidentin e Turqisë, pa ia përmendur emrin.

“Zgjedhjet fusin në fuqi një sistem të ri presidencial që ka pasoja të gjera për demokracinë turke – siç janë paraqitur nga Komisioni i Venecias – përsa i takon mekanizmave të kontrolleve dhe balancave mes pushteteve”, thuhet në deklaratë.

“Në përgjithësi, do të ishte në të mirë të Turqisë që të merrej urgjentisht me të metat kyçe të shtetit ligjor dhe të drejtave themelore”.

Bashkimi Evropian ka kritikuar ashpër arrestimin nga Turqia të dhjetra-mijëra vetëve, shumë prej të cilëve pjesëtarë të medias, në një gjendje të jashtëzakonshme të shpallur pas një grushti të dështuar shteti kundër Erdoganit në vitin 2016.

Zoti Erdogan fitoi 52.5 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës, dhe duke shmangur një balotazh në zgjedhje që ishin konsideruar si ndër më të fortat në vitet e fundit.

“Superdogan,” ishte titulli kryesor të hënën në gazetën “Takvim” që është pro presidentit. Ndërsa e përditshmja islamike “Akit” shkruante “Lutje, Përpjekje, Lavdi”. Tituj të ngjashëm haseshin pothuajse në gjithë median, pjesa më e madhe e së cilës është nën kontroll direkt ose indirect të Erdoganit dhe përkrahësve të tij.

“Ne morëm mesazhin që na u dha përmes kutive të votimit. Do të luftojmë edhe më fort me mbështetjen që na dhatë me këto zgjedhje”, tha zoti Erdogan të hënën në mëngjes.

Rivali i zotit Erdogan, Muharrem Ince i CHP-së pranoi humbjen të hënën në zgjedhje që i cilësoi “të padrejta” dhe paralajmëroi se vendi po hynte në një regjim të rrezikshëm nën kontrollin e një njeriu të vetëm.

Në një konferencë për shtyp, zoti Ince i bëri thirrje Presidentit Erdogan që që sot e tutje të mos veprojë si kryetar i AKP-së por president i 85 milionë turqve.

“Këto zgjedhje do të kenë ndikim të thellë tek demokracia jonë si edhe në jetën tonë në të ardhmen. Këto zgjedhje që nga mënyra se si u shpallën, tek shpallja e rezultateve, në tërësinë e tyre, kanë qenë të padrejta”, tha ai.

Zoti Ince shtoi se regjimi që merr pushtetin sot është një rrezik i madh për Turqinë, pasi është një regjim ku pushteti është përqendruar tek një person.

“Një parti e vetme ose një person i vetëm që bëhet shteti dhe njëkohësisht krahu ekzekutiv, legjislativ dhe juridik është një problem në vetvete dhe do të vazhdojë të jetë një rrezik i madh për Turqinë”.

Disa ministra të jashtëm të Bashkimit Evropian shprehën shqetësim të hënën pas fitores së zotit Erdogan. Duke folur para një takimi të Ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes së BE-së në vendin e tij, kruediplomati i Luksemburgut, Jean Asselborn tha se Erdogani ishte tani një person “i plotfuqishëm”.

“Ai (Erdogan) foli për demokracinë dje, tani mund ta provojë. Mund t’i japë fund gjendjes së jashtëzakonshme, mund të nxjerrë njerëzit nga burgu, mund të rivendosë shtetin ligjor dhe të ndjekë një rrugë tjetër me Evropën. Është vetëm në dorën e tij. Nëse kjo nuk ndodh dhe Turqia vazhdon të udhëhiqet në mënyrë nacionaliste dhe konservatore-islamiste, atëherë nuk besoj se do të ishte në interes të Turqisë. Por njerëzit e dhanë votën e tyre”.

Ministri i Jashtëm hollandez, Stef Blok tha se ishte i shqetësuar për gjendjen e të drejtave të njeriut.

Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e uroi Erdoganin për fitoren.

“Uroj popullin turk për pjesëmarrjen e lartë në zgjedhje. Turqia është aleate kryesore e NATO-s për shumë arsye, mes së cilave falë pozicionit strategjik dhe gjeografik në kufi me Rusinë dhe Detin e Zi, por edhe me Irakun dhe Sirinë në jug. Turqia ka qenë shumë e rëndësishme në luftën kundër Daeshit dhe terrorizmit”.

Me fitoren e zotit Erdogan hyn në fuqi një sistem i ri me një president me fuqi ekzekutive, i cili u miratua me referendum vitin e kaluar.

Sipas sistemit, zyra e kryeministrit eliminohet dhe kompetencat ekzekutive i janë transferuar presidentit që mund të qeverisë me fare pak mekanizma kontrolluese.

Udhëheqësi turk, që akuzohet nga kritikët se po përdor gjithnjë e më shumë taktika autoritare por përkrahësit e të cilit e duan sepse ka sjellë qëndrueshmëri dhe mirëqenie, mund të përballet me ditë të vështira megjithë fitoren.

Analistët parashikojnë një rënie ekonomike mes inflacionit në rritje dhe një monedhe të dobësuar./Zëri i Amerikës

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!