Thomas Strakosha, Lucas Leiva dhe Ciro Immobile janë tre lojtarët e Lazios, te të cilët ka shumë dyshime se janë të prekur me COVID-19. Ata herë kanë rezultuar negativë dhe herë të tjera pozitivë në testet e kryera nga laboratori i kontraktuar nga UEFA, SynLab dhe ai i Lazios, Futura Diagnostica.
Për Lazion është hapur një hetim nga prokuroria me akuzën e aktivizimit të lojtarëve të infektuar dhe nën hetim është edhe laboratori Futura Diagnostica, ku bardhekaltërit kanë kryer testimet për Serie A.
Së fundmi, konsulenti shkencor dhe kreu i këtij laboratori ka dhënë një intervistë për Radio Punto Nuovo, ku ka treguar të vërtetën e tij. Ai shprehet se Strakosha dhe Leiva janë negativë dhe këto përgjigje janë konfirmuar edhe nga një laborator tjetër.
“Për laboratorin tonë, Immobile, Strakosha dhe Lucas Leiva janë totalisht negativë dhe ne e dhamë qartë këtë përgjigje. Në të njëjtën seancë testimesh, Lazio gjithashtu kishte disa pjesëtarë pozitivë, të cilët ne menjëherë i raportuam.
Për imazhin dhe korrektësinë tonë, pas rezultatit të nxjerrë për tre lojtarët e përmendur më lart, ne bëmë një test të dytë, duke u mbështetur në një laborator në Napoli, i quajtur MeriGen. Ata janë një laborator shumë serioz dhe kanë përvojë dhe profesionalizëm të madh.
Edhe atje katër rastet pozitive të gjetura nga ne u konfirmuan si të tilla dhe gjithashtu u konstatua sërish negativiteti për Strakoshën dhe Lucas Leivan, duke rezervuar një kontroll të mëtejshëm vetëm për tamponin e Ciro Immobile”, përfundon Taccone. /abcnews.al