Partizani e nis me humbje sezonin dhe nesër do të luajë në një tjetër transfertë, këtë herë me Kukësin. Të kuqtë duan tre pikët, ndërkohë që trajneri Ilir Daja ka dalë para mediave dhe ka folur në lidhje më takimin e humbur me krutanët, sfidën e radhës dhe për tema të tjera.
“Nga ajo që u pa në ndeshjen e parë, do të thosha që ishte një dozë e shtuar emocionale. Lojtarët, prej pritshmërive të klubit, tifozëve dhe të vetë atyre, kërkonin që të bënin më shumë. Tentuam më shumë, kur barazuam, duke hedhur të gjithë potencialin sulmues për ta fituar ndeshjen.
Kështu që them se nuk është ndonjë vështirësi shumë e madhe, edhe pse ekipet vijnë nga humbje. Kemi nisur me dy muaj me vonesë dhe të gjithë kanë pasur vështirësi, pavarësisht nëse kanë fituar apo humbur. Ende nuk janë stabilizuar në manovër apo në formacionet bazë. Është një ndeshje që duhet ta kishim fituar, por e kemi lënë pas dhe mendojmë për sfidën me Kukësin”, tha Daja fillimisht.
Çfarë duhet të bëjë Partizani ndryshe? Kreu i stafit teknik shton: “Si ne, ashtu edhe Kukësi kemi vetëm tre ditë në dispozicion. Në nivel paragjykimi mund të flasim shumë, por do dihet gjithçka gjatë ndeshjes. Duhet lexuar mirë në dinamikë. Edhe me Kastriotin e nisëm mirë, kishim tre raste të mira shënimi.
Nëse do ia dilnim, do të kishim një tjetër rrjedhë loje. Nesër do jemi më shumë të kujdesshëm, që të kemi më shumë ekuilibra në ët gjitha fazat. Do shohim edhe çfarë strategjie do të ketë kundërshtari”. Ditën e prezantimi Daja u shpreh se synon që Partizani i tij të bëjë lojë të mirë. Këtë herë ai thekson se duhet të drejtojnë lojën në total dhe jo vetëm në momente të caktuara.
“Unë si natyrë, apo Partizani, nuk kënaqet me fragmente të lojës, duam të drejtojmë lojën. Nuk kishim vazhdimësi. E nisëm mirë, lëshuam, pastaj reaguam. Cilësia e fushës, pa u justifikuar, ndikoi për ne, pasi kemi lojtarë me cilësi të mira teknike. Do të thosha, që për pritshmëritë që kemi, nuk është se jam i kënaqur me atë që të gjithë së bashku kemi bërë. Nuk janë vetëm lojtarët që mbajnë përgjegjësi për humbjen, në radhë të parë e mban stafi”.
Në fund Daja iu kthye sërish sfidës me Kukësin: “Ndeshja e nesërme i ka të tria rezultatet brenda. Edhe Kukësi do të bëjë të njëjtën gjë, do kërkojë tre pikët. Vijmë nga rezultate negative. Mund të bëjmë ndonjë rotacion, që të freskojmë pak ekipin. Kemi luajtur tre ditë përpara. Normalisht nuk e bëjmë dot në mbrojtje.
Do shohim nëse Bitri do të jetë i gatshëm. Mund të ndryshojmë manovër, pastaj duhet parë nëse strategjia do të funksionojë në dinamikë. Në ndeshje të tilla duhet të jemi pragmatistë, pasi ndeshjet e para u zgjidhën nga episodet. Kjo do jetë strategjia kundër Kukësit dhe këto do jenë ndryshimet e vogla që kemi pasur këto ditë”
“Partizani im? Nuk pretendoj që skuadra t’i përthithë idetë e mia. Duhet të përshtatemi edhe ne me grupin që kemi, pasi nuk bëmë merkato. Do jetë një sakrificë e të gjithëve për të marrë maksimumin nga grupi që kemi në dispozicion. Pas ndeshjes së Kupës kemi një pauzë që na shërben për t’u stabilizuar në manovër. Do mundohemi të hyjmë në fushë me mendësinë për të marrë tre pikët, pavarësisht se përballë kemi një kundërshtar të fortë”. /abcnews.al