Asambleja, “Topi Yt” dhe numri i të huajve: Komiteti Ekzekutiv i FSHF vendos pikat mbi “i”

schedule16:27 - 6 Nëntor, 2020

schedule 16:27 - 6 Nëntor, 2020

Komiteti Ekzekutiv në FSHF është mbledhur ditën e sotme dhe ka miratuar rregulloret pë Superioren, të Parën, të Dytën, si dhe për futbollin e moshave dhe të femrave. Në njoftimin e bërë raportohet për vendime të rëndësishme, por detaje mbi ndryshimet në rregulloret e kampionateve nuk bëhen publike.

Ndër temat delikate ka qenë ndryshimi i numrit të lojtarëve të huaj që lejohet të luajnë në Superiore, apo edhe në kategoritë e tjera. Burime pranë një klubeve konfirmojnë për abcnews.al se sezonin aktual do të lejohet të luajnë njëkohësisht 5 të huaj (lejoheshin katër të huaj) në një ndeshje të Superiores.

FSHF gjithashtu njofton se projekti “Topi Yt” do ta vazhdojë deri në vitin 2024, ndërkohë që është vendosur data e mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të Jashtëzakonshme. Më 18 dhjetor përfaqësuesit e klubeve dhe shoqatave anëtare në FSHF do të mblidhen për të marrë vendime të rëndësishme mbi statutin e FSHF.

NJOFTIMI I FSHF – “U zhvillua ditën e sotme në ambientet e Federatës së Futbollit mbledhja e zakonshme e Komitetit Ekzekutiv nën drejtimin e Presidentit Armand Duka. Në këtë mbledhje u vendos zhvillimi i Asamblesë së Përgjithshme të Jashtëzakonshme për miratimin e statutit të ri të FSHF sipas modelit të FIFA-s, e cila do të mbahet në 18 dhjetor 2020.

Ndër të tjera, Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit miratoi rregulloret e zhvillimit të aktivitetit për Kategorinë Superiore, Kategorinë e Parë, Kategorinë e Dytë, moshat, U-17, U-19 Superiore dhe Kampionatin Kombëtar të futbollit të femrave. Komiteti gjithashtu miratoi propozimin për vazhdimin e projektit “Topi Yt” për katër vitet e ardhshme, 2021-2024”, shkruhet në njoftimin e FSHF-së. /abcnews.al