Vjosa Osmani i drejtohet vendit si presidente: Ne ishim viktimë, Serbia kreu krimet

schedule17:33 - 5 Nëntor, 2020

schedule 17:33 - 5 Nëntor, 2020

Vjosa Osmani i është drejtuar qytetarëve të Kosovës si presidente e vendit në një fjalim këtë pasdite. Osmani u shpreh se vendi ka kaluar shumë sfida.

“Të dashur qytetarë vendi ynë po kalon ditë të vështira. Qytetarët e Kosovës duhet të tregojnë besnikëri. Kemi kaluar sfida të shumta prandaj duhet të ushtrojmë me maturi përgjegjësitë sepse shteti bëhet i fortë edhe kur përballet me sfida. Jemi të vetëdijshëm se veprimet e dhomave të specializuara janë rrjedhojë shtetërore të cilat Kosova i ka pranuar. Proceset që vijnë pas nuk do e dëmtojnë projektin tonë kombëtar për liri, i cili është ndërtuar mbi sakrificat e brezave të tërë. Dua të shpreh vlerësimin tim të gjithë atyre që kanë treguar vendosmëri dhe besim në institucione dhe u janë përgjigjur ftesës së dhomave të specializuara, duke dëshmuar besim të palëkundur në drejtësi”, theksoi Osmani.

Osmani shtoi më tej se  në këtë periudhë të vështirë për vendin duket një lidership i fuqishëm dhe përgjigje e unifikuar shterpore. Ajo u zotua para qytetarëve se do të ushtrojë detyrën e kryetares së shtetit duke promovuar këto vlera.

“Kjo kohë kërkon lidership të fuqishëm dhe përgjigje të unifikuar shtetërore. Sot kur vendi ynë përballet edhe me pandeminë ne kemi nevojë edhe për solidaritet me njëri-tjetrin. Si ushtruese e detyrës së presidentes do të përkushtohem që funksionin tim ta ushtroj duke promovuar këto vlera. Gjatë këtij rrugëtimi do të angazhohem çdo ditë që Kosova të bëhet shtet ku ëndrrat e qytetarëve tanë jetësohen.  Dua t’ju lus si qytetarë të këtij vendi të qe qëndrojmë fort afër njëri-tjetrit për të dëshmuar se i ndajmë këto vlera me njëri-tjetrin”, tha Osmani.

Më tej, ajo ka përmendur krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve dhe tha se agresori dhe viktimat të mos barazohen.

“Ne shqiptarët e Kosovës kemi qenë viktimë e hegjemonisë të një shteti gjenocidal dhe Serbia ishte shteti që kreu krimet. Këtë duhet ta themi çdo herë me zë të lartë”, u shpreh Osmani.

Vjosa Osmani mori sot detyrën si presidente pasi Hashim Thaçi dha dorëheqjen nga posti i tij sepse iu konfirmua aktakuza nga Haga. g.v/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!