Rusi 2018, Brazili fiton në frymën e fundit

schedule16:23 - 22 Qershor, 2018

schedule 16:23 - 22 Qershor, 2018

Brazili kaloi një provë tepër të vështirë me Costa Rica-n në Botëror. Skuadra favorite për titull, mundi të fitonte 2-0 vetëm në minutat shtesë.

Padyshim ishte mungesë fati, por ishte edhe diçka tjetër. Brazili, kombëtarja më e madhe e futbollit në rruzull, u duk si një adoleshent në një sfidë krejt normale të Botërorit, të cilën thuajse e pati dështim.

Costa Rica, një rival në letër tepër modest, bllokoi pesë herë kampionët e botës, duke shfrytëzuar lojën në mbrojtje, fatin, portierin Keylor Navas, por edhe nervat e dobëta të brazilianëve.

E vërtetë që Neymar, Coutinho e yjet e tjerë të “Selecaos” humbën raste pa fund. Përballë patën një portier shumë të mirë, numrin 1 të Realit të Madridit, i cili jo më kot është tri herë radhazi kampion i Europës.

Navas tejkaloi edhe vetveten, i vendosur ta nxirrte faqebardhë ekipin e tij të vogël, nga ndeshja më e vështirë e Kupës së Botës. Nëse nuk ia doli, kjo erdhi sepse Brazili ka aq shumë talent, dhe sulmon aq dendur, sa dikur do ta gjente golin.

Gjithsesi, avantazhi erdhi atëherë kur thuajse nuk shpresohej, në minutën e parë shtesë, dhe autor ishte lojtari ndoshta më shembullor i momentit, Coutinho. Ylli i Barcelonës, shkëlqeu ashtu si ndaj Zvicrës, ku gjithashtu shënoi, ndërsa shumë mirë luajtën edhe Daglas Costa apo Gabriel Jesus. Po Neymar, si mund të vlerësohet?

Padyshim, jo pozitivisht edhe pse shënoi. Ylli kryesor brazilian u duk tepër nervoz, donte me patjetër të shënonte, dhe sikur priste që kundërshtarët ta lejonin qetësisht që ta bënte. Për shkak të protestave mori karton të verdhë, por rrezikoi edhe përjashtimin.

Brazilit i prishi punë këtë herë teknologjia VAR, ajo që nuk u përdor në golin e parregullt të Zvicrës në ndeshjen e parë. Gjyqtari Kuipers dha 11-metërsh për ekipin e trajnerit Tite, por pasi u këshilluar me VAR-in, e ktheu vendimin. Brazili ia doli të fitonte dhe shkon më i qetë në ndeshjen e tretë dhe të fundit në grupin E, atë ndaj Serbisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!