“Fitorja është e qartë”. Kështu u shpreh kandidati demokrat për President Joe Biden nga Delaware. Jo rastësisht ai zgjodhi këtë vend për të mbajtur fjalimin e parë, pasi pikërisht aty pranoi nominimin në gusht, ndërsa sot u rikthye për të shpallur fitoren.
Biden u shpreh i bindur se do të jetë ai që do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë këtë herë si President i SHBA-së.
“Tani, pas një nate të gjatë numërimi, është e qartë. Unë nuk jam këtu për të deklaruar se kemi fituar. Kur të përfundojë numërimi, ne besojmë se do të jemi fituesit. Fuqia nuk mund të merret ose pohohet. Ajo rrjedh nga njerëzit.
Dhe është vullneti i tyre që përcakton se kush do të jetë president i Shteteve të Bashkuara. Dhe tani pas një nate të gjatë numërimi, është e qartë se ne po fitojmë mjaft shtete për të arritur 270 vota elektorale të nevojshme për të fituar presidencën” vazhdoi Biden.
Në vijim të fjalimit të tij, referuar lëvizjeve të Trump, Biden këmbëngul se “çdo votë duhet të numërohet“, pasi republikanët hapën procese ligjore në disa shtete kryesore. “Askush nuk do të na e heqë demokracinë” tha ai, i shoqëruar nga kandidatja për zv/ presidente Kamala Harris.
Biden u zotua se do të jetë president i të gjithë amerikanëve duke kërkuar unitet. “Nuk do të ketë shtete të kuqe dhe blu kur të fitojmë. Vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne nuk jemi armiq. Ajo që na bashkon si amerikanë është shumë më e fortë se gjithçka që mund të na copëtojë.
Tani është koha që ne të bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë si amerikanë – të vendosim retorikën e ashpër të fushatës pas krahëve, të ulim temperaturën, të shihemi, të dëgjojmë njëri-tjetrin, të dëgjojmë përsëri njëri-tjetrin dhe të respektojmë dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin. Të bashkohemi, të shërohemi, të bëhemi së bashku si një komb” përfundoi ai fjalimin me tonet e një presidenti, por fituesi do të kërkojë kohë të zyrtarizohet./ db/Abcnews.al