Zgjedhjet në SHBA dhe pasiguria rreth rezultatit ka tronditur tregjet financiare. Një tregues kyç i tregut të aksioneve në SHBA, Indeksi Dow Jones ka rënë për më shumë se 1.5 për qind të mërkurën, ndërsa S&P është rritur për 0.6%, pas një rënieje fillestare prej 1.1%.
Ndërkohë aksionet në Gjermani, Francë dhe Angli kanë qenë po ashtu të paqëndrueshme në tregtinë e hershme, ndërsa kanë nisur të rikthejnë fitime të vogla.
Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara janë mbajtur të martën. Në garë kanë qenë presidenti aktual, Donald Trump, dhe ish-zëvendëspresidenti Joe Biden.
Rezultati është ende i paqartë, meqë numërimi i votave në disa shtete kyçe vazhdon. Trump, i cili para kohe ka pretenduar fitoren, ka paralajmëruar se mund ta çojë rezultatin e zgjedhjeve në Gjykatën Supreme.
Biden ka thënë se është i bindur se është “në rrugën e duhur” për të fituar, por ka bërë thirrje për durim derisa numërimi i votave vazhdon./abcnews.al