Edi Martini, trajneri i Teutës, nuk fshihet dhe thotë se skuadra e tij këtë sezon është nderuar për titull. Shkodrani tregon edhe pse besojnë se mund ta arrijnë diçka të tillë, ndërkohë që flet edhe për shumë tema të tjera. Fillimisht i pari në radhës është Skënderbeu.
“Normalisht jemi gati. Ka qenë një periudhë pak problematike, pasi çdo javë bëheshim gati të nisnim kampionatin. Gjithsesi të shohim përpara, pasi ndeshja e parë e kampionatit është e rëndësishme. Mendoj se te Skënderbeu kanë djem të rinj mjaft të talentuar.
Bëhet fjalë për një ekip që nuk ka çfarë humbet, që po ripërtërihet. Besoj se na pret një ndeshje e fortë, ndaj një ekipi me dëshirë, që vrapon shumë dhe mendoj se janë një ekip i denjë”, tha fillimisht Martini, i cili foli edhe për periudhën pa ndeshje dhe ndikimin e saj.
“Problemi më i madh ka qenë programimi i planit stërvitore. U mësuam gjatë pandemisë me gati dy muaj e gjysmë pushim. Pastaj edhe motivimi ishte çështje në vete. Mendoj se jemi gati psikologjikisht dhe fizikisht”, shton shkodrani i Teutës.
Titulli dhe presioni nuk mund të përjashtohen si tema në konferencën për shtyp: “Jam mësuar me presion edhe kur isha futbollist. Presioni është pjesë e punës sonë dhe më pëlqen kjo gjë. Titulli? Edhe po të mos dua ta them, jeni ju që e keni trumbetuar. Është e pritshme diçka e tillë.
Lojtarët që janë në ekip e çuan vetë stekën lart sezonin e shkuar, duke fituar Kupën dhe Superkupën. Natyrisht që mendimi është që të jemi për titullin kampion. Bashkë me djemtë mendojmë se do të jemi në luftë për titull deri në javën e fundit”.
Blerim Krasniqi nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen kundër Skënderbeut, ndërkohë që nuk ka probleme për Rustem Hoxhën. I pyetur në lidhje me pozicionin e Dejvi Bregut, a shikohet ai si fantazist për të zëvendësuar Kallakun, Martini shprehet: “Dejvi është një djalë inteligjent dhe mundet të luajë në çdo rol. Është vlerë e shtuar e skuadrës sonë dhe do të luajë aty ku do të kemi nevojë”.
“Opsionet e shumta në sulm? Normalisht konkurrenca është e mirë, duke pasur që vjet ktheja kokën nga pankina dhe e kisha të vështirë të hidhja një lojtar në fushë. Ishin djem të rinj. Sivjet kemi shumë lojtarë”, shprehet trajneri i Teutës, ndërkohë që në fund u pyet nëse fitorja është opsioni i vetëm kundër Skënderbeut.
“Ne do hyjmë në çdo ndeshje për fitore, nga fillimi e deri në fund. Jemi ndërtuar të tillë dhe eksperienca e lojtarëve na bën të flasim kështu, sikurse edhe ajo që kanë paraqitur në fushën e lojës, grinta, dëshira dhe pjekuria që kanë. Normalisht kur fiton Kupën dhe Superkupën fiton edhe më shumë eksperiencë dhe fiton vetëbesim”. /abcnews.al