Silvana Rusi sapo ka publikuar projektin më të fundit që mban titullin “S’jena dy”. Këngëtarja ishte e ftuar këtë të martë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” me moderatorin Alban Musa, teksa rrëfeu detaje nga kënga më e re që solli pak ditë më parë.
“E kisha pak merak ngaqë isha vetë pjesë e krijimtarisë dhe tashë sesi do të pritet. Por është pritur shumë mirë dhe jam shumë e lumtur. Në materialet e mia edhe pse ka krijuar dikush tjetër, kam ndërhyrë dhe kam dhënë nga vetja ato gjëra mendoja se duheshin ribërë. Por në këtë material përveç faktit që janë unë e gjitha aty, dhe tema që kam zgjedhur është shumë aktuale dhe prek shumë çifte. Mendoj se kjo është e veçanta e këngës time.“, tha këngëtarja.
Silvana ka marrë pjesë në një sërë kompeticionesh të rëndësishme. “Star Academy” ishte kompeticioni i parë në të cilin ka marrë pjesë, dhe që prej atëherë e kemi parë në zhanre të ndryshme.
“Kam vendosur që të paktën tek publiku që ndiqet nëpërmjet rrjeteve sociale dhe Youtube të vij në një formë moderne, komerciale deri diku dhe jo popullore sepse aty më fle shpirti dhe ashtu dua të vijë. Mendoj se di më mirë dhe më bukur përsa i përket këtij lloj zhanri. E bëj me shumë dëshirë dhe pasion dhe populloren por thashë që vokali fle më shumë tek modernia.”, tha këngëtarja. /abcnews.al