“Po na sheh publiku, bëhuni seriozë”: Thyhet urdhri i Ruçit, deputetët votojnë nga makina

schedule10:11 - 2 Nëntor, 2020

schedule 10:11 - 2 Nëntor, 2020

Pandemia ka sjellë një mori pengesash për zhvillimin e mbledhjeve të komisioneve në Kuvend duke bërë që ato të bëhen online. Kjo bëri që jo vetëm gjatë muajve të karantinës, por edhe tani, disa prej deputetëve të mos respektojnë atë që përfaqësojnë duke diskutuar dhe votuar për ligje nga makina apo pushimet.

Në lidhje me këtë reagoi pak ditë më parë edhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili i kërkoi deputetëve që të tregohen të kujdesshëm në këtë drejtim duke mos marrë pjesë në mbledhje për nga makina.

Mirëpo, Fadil Nasufi nuk e ka marrë në konsideratë këtë këshillë duke marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Edukimit ndërkohë që ishte në makinë.

Ruçi tha se këto sjellje nuk duhen toleruar në asnjë mënyrë nga komisioni, por duket se Ramazan Gjuzi, si drejtues i mbledhjes nuk e ka parë të arsyeshme t’i kërkojë Nasufit të gjejë një vend tjetër, nga i cili të mund të marrë pjesë në mbledhje.

Çfarë tha Gramoz Ruçi:

Para se të bëj komentin e propozimeve, me lejoni të tërheq vëmendjen e të gjithë kryetarëve të Komisioneve për mbledhjet. Sigurisht që kemi vendosur të vazhdojnë të zhvillohen “online”, në raste të veçanta kemi në dispozicion tri ambiente, si: salla e madhe, salla e grupeve dhe kjo salla ku jam unë, kur Komisionet ta shikojnë të arsyeshme për t’i zhvilluar mbledhjet me praninë fizike, sigurisht duke zbatuar të gjitha masat e protokollit, por për të gjitha mbledhjet e komisioneve që zhvillohen online do të kërkoja etikën dhe rigorozitetin e të gjithë pjesëmarrësve.

Jeni në sytë e publikut, siç jeni ju dhe unë “online”, janë “online” edhe ato për publikun dhe nuk është serioze që, ndërkohë që zhvillohet mbledhja e Komisionit, deputeti, meqë ia lejon elektronika, të flasë nga makina.

Këto nuk duhen toleruar nga asnjë kryetar Komisioni. Lidhur me problematikën që trajtoi zoti Murrizi, që besoj se pothuajse iu përgjigjen kryetarët e Komisioneve, pra nismat për Kodin Penal apo të Kodin e Procedurës Penale, qoftë sugjerimi që bëri zoti Murrizi dhe që i dha përgjigje kryetari i Komisionit të Ligjeve, besoj se do të vijnë në një paketë, do të shpejtohet puna, që të mos jenë të shkëputura si nisma, por të bashkohen të gjitha. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!