Ekipet e kërkim-shpëtimit nxorën të gjalla dy vajza, nga rrënojat e ndërtesave të shembura në qytetin bregdetar turk të Izmirit, tre ditë pasi një tërmet i fortë me qendër në Detin Egje goditi Turqinë dhe Greqinë.
Numri i përgjithshëm i viktimave arriti në 85 pasi ekipet nxorën nga rrënojat më shumë trupa brenda natës mes ndërtesave të shembura në Izmir, qyteti i tretë më i madh i Turqisë.
Më shumë se një mijë njerëz janë plagosur. Ndërsa tërmeti në ishullin Samos shkaktoi 2 viktima dhe plagosi të paktën 19 njerëz të tjerë në ishull.
Ekipet e shpëtimit shpëtuan edhe një 14-vjeçare, Idil Sirin pas 58 orësh. Motra e saj 8-vjeçare, Ipek, nuk arriti të mbijetonte.
Shtatë orë më vonë, ekipet e shpëtimit shpëtuan 3-vjeçaren Elif Perincek, nëna dhe dy motrat e së cilës ishin shpëtuar dy ditë më parë, nga një ndërtesë tjetër e rrëzuar. 3 vjeçarja u nxor pas 65 orësh në rrënojat e banesës së saj dhe duke u bë personi i 106-të që arriti të shpëtonte.
Tërmeti shkaktoi një tsunami të vogël që goditi Samos dhe rrethin Seferihisar të Izmirit, duke shkaktuar një viktimë.
Lëkundjet janë ndjerë në të gjithë Turqinë perëndimore, duke përfshirë Stambollin si dhe në kryeqytetin grek të Athinës. s.ba/abcnews.al