Zlatan Ibrahimovic vazhdon të jetë i rëndësishëm për Milanin, edhe pse është 39 vjeç. Asist dhe një gol fantastik, ndërkohë që kuqezinjtë janë të parët pas gjashtë javësh kampionat. Suedezi nuk ngurron të ngacmojë edhe kritikët për ato që deklaruan në momentin që u kthye në Milano.
“Thjesht po ngrohem. Muaj më parë thanë se kushdo që kthehet te Milani, ka dështuar. Thanë se do të ndodhte e njëjta gjë edhe me mua, por unë kurrë nuk e kam humbur pasionin. Kam mentalitet, besoj në atë që bëj dhe punoj ditë pas dite.
Kam edhe një ekip që punon shumë mirë, është i ri dhe përpiqet të përmirësohet ccdo ditë. Ata më ndihmojnë shumë që të ndihem mirë. Meritat janë edhe të trajnerit, i cili ka krijuar një ekuilibër dhe gjithmonë më gjen mënyrën e duhur që të më lejojë të luaj”, tha Ibra për Milan TV.
“Sa i takon golit, nuk ishte i vështirë për mua. Kam shënuar edhe të tjerë gola të ngjashëm”, shtoi sulmuesi, i cili më pas kërkon nga shokët e tij që të jenë të karikuar në vazhdim. “Detyra ime është ta bëj ekipin të uritur. Nuk kemi fituar asgjë akoma, ndaj duhet të vazhdojmë dhe të mos dorëzohemi në asnjë moment.
Nuk duhet të ketë vetëkënaqësi, si dhe duhet të rikthehemi kur të vijnë momentet e këqija”. Në fund, i ngacmuar në lidhje me të ardhmen te Milani, Zlatan shprehet: “Tani unë i them Paolos se ai duhet të më bëjë të nënshkruaj kontratën e re, përndryshe unë nuk do të luaj ndeshjen tjetër. Presioni shkon te Paolo”. /abcnews.al

